“Kur erdha në ‘Casa Milan’ për të firmosur kontratën, e ndjeva menjëherë që ky klub është i veçantë. Ndjeva menjëherë aurën e madhështisë që ka. Milani ka fituar 7 Liga të Kampionëve, është i dyti vetëm pas Real Madridit. Kjo tregon shumë. Këtu gjithçka është në nivel shumë të lartë; njerëzit që punojnë për klubin, tifozët, stadiumi…” – tha Luka Modric, mesfushori i ri i Milanit, gjatë një interviste për DAZN në prag të miqësores kundër Leeds.
Për derbin me Interin dhe bashkëkombasin Sucic, ai shtoi: “Mezi pres ta luaj derbin, këto janë sfidat më të bukura për t’i jetuar në fushë. Shpesh i shikoja ndeshjet mes Milanit dhe Interit, më pëlqen shumë të luaj ndeshje të tilla, mezi pres ta bëj me fanellën kuqezi. Do të përballem me bashkëkombasin tim Sucic? Po, do të shihemi në fushë. Ai ka një të ardhme të madhe përpara. Ka treguar tashmë se është një lojtar shumë i mirë, shumë i talentuar, ka bërë shumë mirë si me kombëtaren, ashtu edhe me Dinamo Zagreb. Tani i uroj më të mirat, por jo kundër nesh”.
Për veshjen e fanellës kuqezi, një ëndërr fëmijërie e bërë realitet: “Jam gati 40 vjeç dhe ende kam ëndrra futbolli, pikërisht për këtë erdha këtu. Po, është një ëndërr fëmijërie. Fotoja ime si fëmijë me fanellën e Milanit është një kujtim i bukur, tregon sa popullor ishte ky klub, sidomos në Kroaci, në atë kohë. Unë u rrita duke ndjekur kampionatin tuaj dhe Milani ishte skuadra ime e preferuar në Itali. Zvonimir Boban luante këtu, ishte idhulli im si fëmijë. Tani jam këtu dhe, siç e thashë, dua të fitoj trofe me Milanin”.
Për Rafael Leao, kroati shtoi: “Për mua është një lojtar i nivelit botëror dhe Milani është me fat që ka lojtarë të këtij kalibri. Kam luajtur kundër tij disa herë, si në nivel klubi, ashtu edhe kombëtareje, e kupton menjëherë se çfarë lojtari është. E them sërish, është pa dyshim një top lojtar në nivel botëror”.
Për zgjedhjen e numrit 14 në nder të Cruijff, që në një miqësore kishte veshur pikërisht 14-tën e Milanit: “Numri im i parë ka qenë 14, më pas e kam mbajtur edhe te Tottenham dhe kam bërë mirë atje. Prandaj, duke qenë i lirë të Milani, desha ta zgjidhja sërish. Cruijff është simboli i këtij numri, lojtari që i dha rëndësi 14-tës dhe e bëri të veçantë. Është kënaqësi ta vesh”.
Në fund, për Carlo Ancelotti, të cilin e konsultoi para se të transferohej te Milani: “Fola me Ancelottin para se të firmosja me kuqezinjtë dhe ai më tha vetëm gjëra shumë të bukura për Milanin. Sigurisht që i dija edhe më parë, por kur dikush si Carlo, që ka qenë lojtar dhe trajner këtu, t’i thotë, e kupton edhe më mirë klubin dhe ambientin kuqezi”.
The post Modric: Milan është klub i veçantë, mezi pres ta luaj derbin kundër Interit appeared first on Telesport.