Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur së fundi një tender me përshkrim: “Angazhimi i stafit për nevoja të MKRS-së dhe institucioneve vartëse. Megjithatë, nga përshkrimi i detyrave dhe konteksti i tenderit lindin dyshime serioze se MKRS-ja po shkel ligjin dhe po përdor procedura jo të përshtatshme për angazhimin e personelit, shkruan Demokracia.com.
Së pari, duhet kihet parasysh se në Republikën e Kosovës ekziston Ligji Nr. 03/L‑149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili rregullon statusin e nëpunësve civilë, procedurat për pranimin, emërimin, avancimin në karrierë, detyrimet dhe të drejtat e tyre.
Ligji parasheh që pranimi i nëpunësve civilë bëhet me konkurse publike, në bazë të meritës dhe në mënyrë transparente.
Së dyti, në fushën e prokurimit publik, ekziston Rregullorja Nr.001/2022 për Prokurimin Publik, e cila saktëson dispozita për procedurat e prokurimit, duke përfshirë edhe të shërbimeve të veçanta.
Kështu, sipas rregullores, shërbimet e veçanta mund të kontraktohen vetëm në raste kur ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas ligjit të shërbimit civil, dhe kur bëhet fjalë për profesione të veçanta që nuk mund të mbulohen nga stafi ekzistues i institucionit.
Thirrja është hapur sot
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndjekur një praktikë të dyshimtë ligjërisht në mënyrën se si po angazhon personel për institucionet e veta vartëse. Në vend se të shpallë konkurse të rregullta për punësim në shërbimin civil, MKRS ka zgjedhur të hapë një tender me titull “Angazhimi i stafit për nevoja të MKRS-së dhe institucioneve vartëse”, me vlerë të parashikuar 86,100 euro për periudhë trevjeçare.

Në pamje të parë, tenderi është paraqitur si kontratë për “shërbime të veçanta”, por përmbajtja e tij tregon qartë se bëhet fjalë për angazhim të stafit që do të kryejë punë të përhershme brenda administratë, në thelb, punë të rregullta të shërbimit civil.
Punësim përmes prokurimit, një praktikë që e shmang ligjin
Në dosjen e tenderit, MKRS ka paraparë 10 grupe pozicionesh “konsulentësh” që variojnë nga Konsulent i Marketingut dhe PR, te Konsulent Kino Operator e deri te Konsulent Mirëmbajtës i Hapësirave Kulturore, me detyra që shkojnë nga menaxhimi i faqeve të internetit e mediave sociale, administrimi i emailave të Google Workspace, shitja e biletave, përkujdesja për publikun e deri te pastrimi i ambienteve të kinemave.
Në thelb, këta “konsulentë” nuk janë ekspertë të jashtëm për ndonjë projekt të specializuar, siç do të lejonte ligji për shërbime të veçanta, por janë punonjës që do të kryejnë funksione të rregullta, ditore dhe operacionale brenda institucioneve publike.
Këto funksione, sipas Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, janë të rezervuara për shërbyesit civilë. Neni 5 i këtij ligji përcakton se nëpunësit civilë “ushtrojnë funksione administrative, profesionale dhe teknike në kuadër të organeve të administratës publike”, ndërsa neni 10 sanksionon se rekrutimi bëhet “në mënyrë të hapur, transparente dhe në bazë të meritës, përmes konkursit publik”.
Në rastin e MKRS-së, shpallja e tenderit për “angazhim stafi” e shmang këtë procedurë ligjore, duke anashkaluar parimin themelor të konkurrencës së drejtë dhe barazisë në punësim në sektorin publik. Me këtë veprim, ministria po përdor mjetin e prokurimit publik për të realizuar në fakt një formë të tërthortë punësimi.
Çfarë thotë rregullorja për “shërbimet e veçanta”?
Sipas nenit 57 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, institucionet mund të kontraktojnë “shërbime të veçanta” vetëm në dy raste:
- Kur ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik; dhe
- Kur bëhet fjalë për profesione të veçanta, që nuk mund të mbulohen me stafin ekzistues.
Por në tenderin e MKRS-së, asnjë nga këto kushte nuk është i plotësuar. As menaxhimi i rrjeteve sociale, as shitja e biletave, as pastrimi i hapësirave kulturore nuk përbëjnë “shërbime të veçanta” në kuptimin e ligjit. Përkundrazi, ato janë detyra që kryhen çdo ditë nga punonjës të rregullt të institucioneve publike.
Vetë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka paralajmëruar më parë për abuzimin me këtë kategori, duke theksuar se përdorimi i saj për punësime të përkohshme apo për plotësim të vendeve të punës është i kundërligjshëm. Në një reagim të vitit 2023, KRPP pati konstatuar se “klasifikimi i aktiviteteve të përhershme si ‘shërbime të veçanta’ është keqpërdorim i dispozitave të nenit 57”.
Nga “konsulentë” te punëtorë teknikë
Në tenderin e MKRS-së, grupet e punës të listuara tregojnë qartë natyrën e detyrave:
Grupi 1: Konsulent i Marketingut dhe PR – menaxhon domenin www.kinoabc.info, administron emailet e Google Workspace, krijon fushata promocionale dhe strategji marketingu;
Grupet 2-9: Konsulentë Kino Operatorë dhe Mirëmbajtës të Hapësirave Kulturore – bëjnë projeksione filmash, shesin bileta, përkujdesen për higjienën, pastrojnë ambientet dhe mirëmbajnë pajisjet;
Grupi 10: Koordinator për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Galerinë Kombëtare të Kosovës – menaxhon rrjetet sociale, përgatit materiale për media dhe digjitalizon përmbajtje.
Pra, nëse një “konsulent” pastron tualete, shet bileta apo administron emaile institucionale, është e qartë se bëhet fjalë për punëtorë të zakonshëm të institucioneve publike dhe jo për profesionistë të pavarur që ofrojnë shërbim të veçantë.
Kjo mënyrë e punësimit përmes tenderit, përveçse e shmang ligjin, krijon edhe pasoja të mundshme për ligjshmërinë e marrëdhënieve të punës dhe të vendimeve që këta persona do të ndërmarrin.
Në mungesë të statusit të shërbyesit civil, “konsulentët” nuk gëzojnë as të drejtat e mbrojtura nga ligji për shërbimin civil, por as nuk mund të mbajnë përgjegjësi administrative në mënyrë të rregullt. Për më tepër, kjo praktikë hap rrugë për keqpërdorim të fondeve publike dhe krijon punësim politik apo klientelist, duke anashkaluar çdo procedurë të konkurrencës së hapur.
Kjo nuk është hera e parë që një institucion publik përdor “shërbimet e veçanta” për të zëvendësuar konkursin e rregullt për punësim. Vetëm gjatë vitit të kaluar, KRPP ka evidentuar dhjetëra tenderë të tillë në institucione të ndryshme, nga komuna e deri te agjencitë ekzekutive, ku përmes këtij mekanizmi janë angazhuar persona për funksione që ligjërisht i takojnë nëpunësve civilë.
Tash, në rastin e MKRS-së, ky model po përsëritet nën justifikimin e “nevojave institucionale”, por në përmbajtje, kemi të bëjmë me një shkelje të qartë të parimit të ndarjes mes punës administrative dhe kontratave të prokurimit publik. /Demokracia.com/






Lexo edhe:










