“Mitrovicën s’mund ta duan më shumë njerëzit e VV-së”, Tahiri: Jam i bindur që fitoj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, është shprehur i bindur se do të dalë fitues në balotazhin e 9 nëntorit.

Sipas tij, mbështetja dhe forca i vijnë nga qytetarët e Mitrovicës, veçanërisht nga familjet e ndershme të këtij qyteti, dhe për këtë arsye ai beson se do të triumfojë falë entuziazmit të tyre.

“Garën e bëj me njerëz të mirë të Mitrovicës. Që nga dita e parë kam ecur rrugëve e rrugicave të qytetit, në secilën shtëpi, në secilin biznes, me njerëz të mirë dhe të ndershëm. Jam i bindur se do të fitoj”, u shpreh Tahiri në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Ndër të tjera, Tahiri tha se ndien presion qeveritar për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve.

Sipas tij, nuk mund ta duan Mitrovicën ata njerëz që nuk e kanë vizituar as para gjashtë muajsh, as para një viti.

“E ndiej presionin edhe të nivelit qeveritar. Nuk mundet me dashtë e as me e njoftë Mitrovicën e as mitrovicasit më mirë Donika Gërvalla, e Nezir Krasniqi, Dejona Mihali apo ministra e profile të tjera që vijnë e bëjnë sfilata rrugicave e shtëpive të qytetarëve. Nëse e duan vërtetë pse nuk erdhën para 6 muajsh, apo para 1 viti? Ka presion të paparë me ndiku tek vullneti i qytetarëve të Mitrovicës. Unë jam me ata. Mua më kish ardh marre me ardh e me i çelë dyert nëpër shtëpi e nëpër biznese kryeministri”, shtoi ai.

Çka ndodhi më 12 tetor në Mitrovicë? – Tahiri: Ka dyshime për ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve

Lidhur me rezultatet e 12 tetorit në Mitrovicë, ka folur kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri.

Sipas tij, ekzistojnë dyshimet e bazuara mirë për keqpërdorim dhe ndërhyrje te vullneti i lirë i qytetarëve në ditën e zgjedhjeve lokale rreth një muaj më pare.

Tutje, ai u bëri thirrje organeve kompetente që të punohet intensivisht që të zbardhet e vërteta e plotë e këtyre rasteve.

“Realisht ka ndodhur një fenomen që ka diskrepancë të madhe në mes të asaj që është raportuar nga Exit-Pollet, si rezultat i punës së tyre profesionale, dhe numërimit të votave nëpër klasë në shkolla të caktuara”.

“Ajo që aktualisht është reale, është se organet kompetente, dhe hetuesia, por edhe prokuroria, kanë dyshime të bazuara, janë deponuar dyshimet e bazuara, për keqpërdorim dhe ndërhyrje tek vullneti i qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Ato janë duke bërë punën e vet në mënyrë që të zbardhet e vërteta, dhe unë jam dhe thërrasë të punohet intensivisht, dhe besoj te organet kompetente që do ta bëjnë punën e tyre në mënyrën më profesionale të mundshme, për shkak që është e nevojshme dhe duhet zbardhur e vërteta”, u shpreh Tahiri sonte në “Rubikon” të Klan Kosovës