Mitrovicë: Gjykata refuzon arrestin shtëpiak për katër policët e dyshuar për manipulim me prova

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë të dyshuar për veprën penale “Manipulim me prova”.

Të pandehurit Q.K., B.M., L.T. dhe F.A., të gjithë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, po hetohen për dyshimin e bazuar se kanë ndërhyrë në prova materiale, veprim i cili bie ndesh me nenin 389 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë dhe analizimit të provave dhe pretendimeve të mbrojtjes, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se nuk ekziston nevoja për masë më të rëndë sigurie. Sipas gjykatës, lënia e tyre në liri nuk rrezikon procesin penal dhe nuk do të ndikojë në pengimin ose vonimin e procedurës.

Gjykata theksoi se masa e arrestit shtëpiak nuk duhet të caktohet nëse qëllimi i pranisë së të pandehurve në proces mund të arrihet me masa më të buta