Mitrovicë e Jugut: Vazhdon dukuria e fletëvotimeve me numra serikë të shpërputhur, e madje edhe pa ta fare

Ndërkohë që sot Prokuroria ka urdhëruar vazhdimin e procesit të numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut, pas dyshimeve për parregullsi serioze gjatë ditës së djeshme, komisionerët dhe vëzhguesit po përballen sërish me të njëjtat dukuri, duke thelluar dyshimet për integritetin e këtij procesi.

Video të shumta nga Qendra e Numërimit në Mitrovicë të Jugut dokumentojnë qartë këto parregullsi, ku vërehen raste të konsiderueshme të fletëvotimeve me numra serikë që nuk përputhen me regjistrimet përkatëse. Në një prej tyre dëshmohet madje ekzistenca e një fletëvotimi pa numër serik fare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, deklaroi se raste të tilla janë hasur “në çdo vendvotim ku janë rinumëruar votat”. Sipas tij, kjo përbën “tregues të pakontestueshëm” se në Mitrovicë ka ndodhur manipulim elektoral.

“Fletvotimet me çrregullim të numrit serik janë gjetur në çdo vendvotim ku janë rinumëruar votat. Kjo tregon se manipulimi i votave në Mitrovicë nuk është rast i izoluar, por i përhapur në të gjitha vendvotimeve.Tregues i mjaftueshëm që zgjedhjet në Mitrovicë janë të manipuluar.” – tha Behrami.

Partia Demokratike e Kosovës njoftoi më herët se ka dorëzuar sot, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës – në dritën e dokumentimeve masive për parregullsi në këtë komunë.

Në komunikatën për media, PDK thekson se ky veprim është ndërmarrë në përputhje të plotë me ligjin dhe me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor, pas dyshimeve serioze për manipulime gjatë numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.

“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ky veprim është bërë në përputhje me ligjin dhe me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe votës së lirë të qytetarëve të Mitrovicës.

PDK siguron qytetarët e Kosovës, e veçanërisht ata të Mitrovicës, se do të ndjekë me përgjegjësi të gjitha procedurat ligjore për të garantuar që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve. Ne besojmë se vetëm rivotimi i bën drejtësi procesit zgjedhor dhe vullnetit qytetar. Vota është e shenjtë. Demokracia fillon e mbaron me ruajtjen dhe respektimin e saj.” – thuhet në njoftim.

Nacionale kishte raportuar gjerësisht mbrëmjen e së hënës për këto raste. Pas publikimit të dyshimeve për parregullsi, Prokuroria kishte ndërprerë përkohësisht procesin e numërimit.

Në balotazh, Mitrovica doli jashtë çdo parashikimi, ku regjistroi rreth dy mijë votues më shumë se në të parin, fenomen tejet i pazakontë, në kohën kur pjesa më e madhe e komunave të vendit përjetuan rënie të daljes në votime, siç ndodh zakonisht në balotazh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përpoq ta shpjegonte situatën me “probleme teknike”, ndërsa kompania sllovene CETIS – e njohur për lidhjet e mëhershme biznesore me ambasadorin Martin Berishaj – e cila prodhoi fletëvotimet, pranoi se kishte ndodhur “një gabim”, të cilin – sipas saj – e kishte bërë nën mbikëqyrjen e vetë zyrtarëve të KQZ-së.