Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve G.G. dhe L.O., në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“.
“Prokuroria njofton opinionin se të pandehurit G.G. dhe L.O., më 24 shkurt 2019, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me përdorimin e forcës dhe të kanosjes duke përdorur armën, e kanë marrë dhe mbajtur viktimën M.G., me qëllim që të mos e lirojnë para se i njëjti t’u ofrojë të pandehurve dobi pasurore. Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”, nga neni 194 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 dhe 2.3 të lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, i pandehuri G.G., ka pasur në posedim armën e tipit “Skorpion”, dhe me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“.
Ndërkaq, i pandehuri L.O., më 25 shkurt 2019, e ka thirrur dhe kërcënuar seriozisht viktimën M.G, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje“Aktakuzë për rrëmbim, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe kanosje.
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.