Në ditën kur presidenti rus Vladimir Putin pritet të vizitojë Beogradin, në veri të Mitrovicës janë vendosur gjithandej flamuj të Rusisë, fotografi të presidentit Putin, si dhe billborde me mbishkrime në gjuhën ruse “Ne jemi vëllezër, Zoti është me ne”.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se fotografitë, famujt dhe mbishkrimet, janë vendosur mbrëmë gjatë natës nga njerëzit e Millan Radojiçiqit, emri i të cilit është i lidhur me shumë ngjarje në veri, duke përfshirë edhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Edhe në kohën kur po raportojmë vërehen njerëz të caktuar të cilët po vendosin flamuj nëpër pjesë të ndryshme dhe rrugica të veriut të Mitrovicës.
Mësohet se përmes këtyre fotografive, flamujve dhe mbishkrimeve, pikërisht në ditën e vizitës së Putinit në Serbi, qytetarët serbë të veriut dërgojnë mesazh për raporte vëllazërore me Rusinë.