Telekomi i Kosovës për më shumë se katër muaj po ekzekuton pagat për punonjësit e saj, përkundër se xhirollogaria zyrtare e tyre vazhdon të ngelet e bllokuar. Gjithsej, ndërmarrjes publike i duhen përafro 1,5 milionë euro bruto në muajt që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për të angazhuarit e saj. Megjithatë, xhirollogaritë nga të cilat po rrjedhin shumat milionëshe vazhdojnë të mbeten një mister.
Gazeta Insajderi është interesuar që nga 7 nëntori për këtë çështje, ku iu është drejtuar me pyetje Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK) për ta pyetur për ligjshmërinë e xhirollogarisë nëpërmjet të cilave po ekzekutohen pagat. Megjithatë BQK’ja, në krye të së cilës qëndron Ahmet Ismajli, nuk është përgjigjur.
Për të njëjtën çështje Insajderi iu është drejtuar edhe Telekomit të Kosovës, të cilët të enjten thanë se rrogat mujore për punonjësit po gjenerohen nëpërmjet të hyrave nga aktiviteti i rregullt afarist.
“Mund të ju konfirmojmë se përkundër bllokimit të llogarive bankare përmes vendimeve te padrejta dhe te dyshimta gjyqësore, Telekomi i Kosoves po arrinë të i paguaj pagat e punëtorëve me shume vështirësi. Pagesat e pagave po bëhen nga mjete financiare nga te hyrat e gjeneruara nga aktiviteti ynë i rregullt afarist. Pagesat po ekzekutohen në llogarite bankare të punëtorëve në mënyrë të ligjshme përmes institucioneve të licencuara nga autoritetet përkatëse te Republikës se Kosovës”, ka deklaruar Lepaja.
Nga ndërmarrja publike bënë të ditur se shuma mujore e pagave neto është përreth 1,270.000 euro.
Telekomit të Kosovës iu kanë bllokuar xhirollogaritë për më shumë se katër muaj, si shkak i humbjes së rastit të “Dardafonit” në Komerciale.
Ndonëse është paraqitur si ndërmarrje publike fituese nga pushtetarët, Telekomit iu janë nevojitur edhe borxhe nga ekzekutivi për tejkalimin e krizave. Përgjatë vitit 2023, Qeveria Kurti ndau 20 milionë euro për realizimin e disa projekteve investive.
Insajderi ka biseduar me punonjës të Telekomit të Kosovës në kushte të anonimitetit për t’i pyetur se nga çfarë xhirollogarie po iu ekzekutohen pagat. Ata kanë thënë se rrogat po deponohen në llogaritë e tyre tash e sa muaj nga një institucion mikro-financiar. Insajderi s’ka arritur ta konfirmojë ende një gjë të tillë.
Lidhur me çështjen e rrogave, me një gjuhë të pistë është deklaruar edhe zyrtari kryesor i Financave të Telekomit, Feim Kelmendi. I njohur për shprehjet e tij degraduese dhe afërsinë me partinë në pushtet, ai ka përshkruar nëpërmjet një shkrimi në ‘Facebook’ një situatë në një seancë gjyqësore.
“Dje patem nje seance n’gjykate me kete Grupin Kriminal Devolli, tuj prit me hy n’seance mu afru nifare mjerani qe e paguajne kta Grupi Kriminal si drejtor i asaj kompanise se tyre permes se ciles e kan zhavte Telekomin.
Tha: Mos t’paqa borxh qysh po guxon mi pagu rrogat e punetoreve me llogari t’bllokume se jeni tuj na demtu bisnesin. Tha mbaje mend qe ki me shku n’burg se t’kemi qu n’prokurori.
I thash: Vec mundeni memi rru k**** ju edhe prokuroria. Me dite qe jam tu ju bo deme juve jam n’gjendje me shku 20 vjet vullnetarisht n’burg“, deklaroi saktësisht ai.
Telekomi i Kosovës ka qenë cak i hetimeve të Prokurorisë Speciale për kontratat një-burimore në vlerë prej 20 milionë eurove.
Inspektorati i Punës si mbikëqyrës i Ligjit të Punës ka gjobitur në vazhdimësi Telekomin e Kosovës.
Ndërmarrja publike e ka shkelur një udhëzim administrativ që është obligativ të zbatohet edhe për ndërmarrjet publike. Përmes evitimit të këtij udhëzimi administrativ, kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana përzgjedhte njerëzit e preferuar të saj nëpër konkurse.
Kjo manifestohej përmes largimit të testit me shkrim, kufizimit të afatit kohor për ankesa dhe përfshirjeve të saj nëpër komisione vlerësuese.