Operacioni mori një kthesë vendimtare pas rënies së Assad-it dhe punimet e gërmimit janë kryer gjatë pesë muajve të fundit “dhjetëra kilometra larg kufirit izraelit”.
Zvika Feldman, i cili u zhduk në Liban gjatë Betejës së Sulltan Jakubit më 10 dhe 11 qershor 1982, në mes të pushtimit izraelit gjatë Luftës së Libanit (1975-1990), ishte një rreshter në ushtrinë e Shtetit Hebraik.
Kjo betejë, e zhvilluar midis ushtrive izraelite dhe siriane, la 21 ushtarë izraelitë të vdekur dhe 30 të plagosur, si dhe gjashtë të zhdukur.
Të dielën, dyzet e tre vjet pas ngjarjeve, qeveria izraelite njoftoi se kishte riatdhesuar trupin e ushtarit, të gjetur në Siri, gjatë një “operacioni special” të kryer nga ushtria dhe Mossad-i, duke ngritur shumë pyetje në lidhje me mënyrën e veprimit të tyre.
Sipas shtypit izraelit, zbulimi i mbetjeve të Feldman është rezultat i viteve të tëra pune nga Mossad-i dhe do të ketë përfshirë agjentë jo-izraelitë të lidhur me këtë shërbim inteligjence dhe të stacionuar në Siri për vite me radhë.
Sipas raportimeve, kërkimet janë përshpejtuar që nga rënia e regjimit sirian më 8 dhjetor 2024, por autoritetet e reja në atë vend nuk kanë marrë pjesë në operacion, raporton Jerusalem Post.
Zhdukja e Zvika Feldman
I koduar “Operacioni i Paqes për Galilenë”, pushtimi izraelit i Libanit më 6 qershor 1982 synonte t’i jepte fund sulmeve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) nga Libani.
Në Sultan Jakub, ushtria izraelite u vu nën zjarr sirian dhe disa nga tanket e saj u konfiskuan nga Siria, e cila kishte qenë e pranishme në Liban që nga viti 1976.
Zvika Feldman u zhduk gjatë kësaj beteje së bashku me pesë ushtarë të tjerë, sipas Times of Israel.
Me kalimin e kohës, fati i tre prej tyre do të sqarohej: njëri u vra në luftime, një tjetër u kap dhe u lirua dy vjet më vonë, dhe një i tretë u ndalua nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës – Komanda e Përgjithshme (PFLP-GC) dhe u lirua pas tre vjetësh.
Mbetjet e një ushtari të pestë, Zachary Baumel, u gjetën dhe u riatdhesuan në vitin 2019 me ndihmën ruse.
Fati i ushtarit të gjashtë, Yehuda Katz, mbetet i papërcaktuar.
Në një artikull të botuar kur u zbulua trupi i Baumel, gazeta Washington Post zbuloi se një gazetar i Time, Dean Brelis, më vonë tha se pa disa ushtarë izraelitë duke parakaluar me tankun e tyre të kapur në Damask pas betejës, por asnjë provë nuk ka konfirmuar ndonjëherë nëse këta ishin gjashtë ushtarët e zhdukur.
Zbulimi i trupit
Pas vitesh kërkimesh nën hundën e regjimit sirian, inteligjenca izraelite, e ndihmuar nga ushtria, arriti të gjente trupin e Feldman-it, sipas faqes së lajmeve Israel Hayom.
Operacioni mori një kthesë vendimtare pas rënies së Assad-it, dhe puna e gërmimit është kryer gjatë pesë muajve të fundit në një varrezë të vendosur “dhjetëra kilometra larg kufirit izraelit”, pasi agjentët e Mossad-it arritën t’u afroheshin rojeve të varrezave përmes një “mashtrimi të hollësishëm”.
Website i YNet News raporton se “agjentët punuan ngadalë dhe fshehurazi, hap pas hapi, duke ruajtur marrëdhënie të përzemërta me stafin e varrezave dhe duke shmangur dyshimet”.
“Rojet u prezantuan si profesionistë të ngarkuar me parandalimin e çdo gërmimi në vend. Nuk dihet nëse ata e dinin apo dyshonin se kush ishte varrosur atje, por ne e dimë se ata kishin marrë udhëzime të qarta për të parandaluar çdo gërmim”, zbulon Israel Hayhom, duke cituar “një burim të Mossad-it”.
Media më pas zbulon se agjentët e Mossad-it “kishin gjetur një mënyrë për të fituar besimin e rojeve”, gjë që u lejonte atyre “të vepronin më lirshëm”.
“Në vend që të provonin një kërkim të rrezikshëm natën nën siguri të lartë, ata hartuan një plan krijues që përfshinte aktorë vendas që u lejonte atyre të punonin në mes të ditës”, vazhdoi Israel Hayom, pa dhënë hollësi.
Kostumi i Feldman u zbulua më vonë në varreza dhe testet e ADN-së në Izrael e identifikuan ushtarin.
Marrë dhe përshtatur nga L’Orient-Le Jour për Albanian Post