Shtetin ku e kishte destinacionin final, e mbërriti.
Në ditën e 42-të sfidës që ia vuri vetes, këmba e Arbert Lubeniqit shkeli në tokën e Kosovës.
Kjo ndodhi të enjten në mesditë, në Jarinje, pikën kufitare me Serbinë.
Udhëtimi prej gati 1900 kilometrash nuk iu duk aq i gjatë e i vështirë 53-vjeçarit që u nis në këmbë nga Kasseli i Gjermanisë, më 18 prill, për të mbërritur në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Kjo kauzë e tij u ndërmor për t’i ndihmuar fëmijët dhe personat e moshuar me aftësi të kufizuara, duke sjellur pako materiale për ta, në bashkëpunim me një fondacion Suedez.
Arbert Lubeniqi synon që më 1 qershor të arrijë në Prishtinë, ndërsa fëmijëve, me rastin e ditës së tyre, t’ua bëjë dhuratë një ekskursion gjithëditor.