Misioni 11-minutësh i Katy Perryt me pesë gra të tjera, a mund të quhen tani astronaute?

Për herë të parë që nga viti 1963, gjashtë gra kanë udhëtuar së bashku në hapësirë pa praninë e asnjë burri, duke shënuar një moment historik për eksplorimin hapësinor.

Ylli i muzikës pop Katy Perry, autorja Lauren Sanchez, gazetarja dhe prezantuesja televizive Gayle King, aktivistja për të drejtat civile Amanda Nguyen, ish-shkencëtarja raketore Aisha Bowe dhe regjisorja Kerianne Flynn, udhëtuan me sukses në hapësirë të hënën përmes raketës së kompanisë Blue Origin, në pronësi të miliarderit Jeff Bezos, shkruan Sky News.

Fluturimi ishte pjesë e programit të New Shepard dhe mbante emrin NS-31. Synimi i këtij misioni ishte krijimi i një “ndikimi të qëndrueshëm që do të frymëzojë brezat e ardhshëm”, duke përfaqësuar ekuipazhin e parë tërësisht femëror që prej fluturimit të inxhinieres ruse Valentina Tereshkova në vitin 1963.

Ndër të famshmet që morën pjesë për të ndjekur nisjen historike ishin Kris Jenner, Khloe Kardashian dhe Oprah Winfrey, një mikeshe e ngushtë e Gayle King.

Në një intervistë me prezantuesen e Blue Origin, Charissa Thompson, Oprah u shpreh: “Nuk kam qenë kurrë më krenare për mikeshën time.”

Ajo shtoi: “Mendoj se jeta ka të bëjë me rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të vetes, dhe kjo është një ndër shprehjet më të plota të vetvetes që një njeri mund të përjetojë”.

Udhëtimi zgjati vetëm rreth 11 minuta, me raketën vetë-drejtuese dhe të ripërdorshme që u nis nga qendra e lansimit “Launch Site One” në pjesën perëndimore të Teksasit.

Raketa arriti një lartësi maksimale prej 107 kilometrash mbi Tokë, duke kaluar vijën e Karman-it – që njihet ndërkombëtarisht si kufiri i hapësirës.

Megjithatë, pjesëtaret e ekuipazhit nuk do të marrin titullin zyrtar të astronautit nga Administrata Federale e Aviacionit, NASA apo ushtria amerikane, të cilat kanë kritere të veçanta për të përcaktuar statusin e astronautëve komercialë.

Gjatë qëndrimit në hapësirë, anëtaret e ekuipazhit përjetuan rreth katër minuta një gjendje pa gravitet, duke shijuar ndjesinë e lirisë dhe pamjet spektakolare të Tokës përmes dritareve të mëdha të kapsulës.

Kapsula u kthye në Tokë me ndihmën e tre parashutave.

Para fluturimit të së hënës, 52 persona kishin udhëtuar në hapësirë përmes programit të Blue Origin, përfshirë vetë Jeff Bezos, i cili mori pjesë në fluturimin e parë të New Shepard në vitin 2021.

Aktori i “Star Trek”, William Shatner, gjithashtu mori pjesë në një nga misionet dhe u bë personi më i moshuar që ka udhëtuar në hapësirë, në moshën 90-vjeçare.

Si u përzgjodh ekuipazhi

Misioni u drejtua nga Lauren Sanchez, e fejuara e Jeff Bezos. Në një intervistë për revistën Elle, ajo shpjegoi se përzgjodhi anëtaret e ekuipazhit bazuar në aftësinë e tyre për të frymëzuar të tjerët.

Sanchez u shpreh se secila prej grave është në gjendje të ndajë me publikun përvojën personale gjatë udhëtimit dhe të kontribuojë në formësimin e perceptimeve për gjeneratat e ardhshme të eksploruesve të hapësirës.