Luka Mishetiq, avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi ka përmendur çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të klientit të tij.
Mishetiq, i cili është duke dhënë fjalën përfundimtare në emër të mbrojtjes së Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë, tha se dëshmitarët ndërkombëtarë ishin të informuar përmes burimeve diplomatike dhe atyre të inteligjencës.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.
Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.










