Mishetiq: S’ka prova se Thaçi kishte njohuri që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime

Avokati Luka Mishetiq ka deklaruar se Prokuroria nuk ka arritur të provojë se i mbrojturi i tij, Hashim Thaçi ka pasur dijeni që ndonjëri prej anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime.

Sipas Mishetiq, ZPS-ja pretendon se Thaçi e ka shfrytëzuar fuqinë si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) në pozicionet e nivelit të lartë në Qeverinë e Përkohshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë. Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë ditur që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime”, tha ai.

Sipas Mishetiq, Prokuroria ka thënë që KFOR-i nuk ka marrë njoftime nga udhëheqësit e UÇK-së për të hetuar krimet e bëra nga anëtarët e UÇK-së pavarësisht se e ka pasur mundësinë për ta bërë një gjë të tillë.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë patur njohuri për krime specifike të bëra nga anëtarët e UÇK-së që të ishin vartës të tij dhe për të cilët nuk ka pasur dijeni UNMIK-u dhe KFOR-i”, tha Mishetiq.

Veç kësaj, Mishetiq tha se edhe nëse në Baicë ka pasur keqtrajtim, ZPS-ja nuk ka arritur të tregojë se e ka udhëhequr Hashim Thaçi.