Mish pule nga Brazili me salmonelë në Shqipëri – AKU konfirmon se ka bllokuar disa tonë, por nuk thotë nëse ka hyrë ose jo në treg

Një ngarkesë e madhe mishi pule prej disa tonësh është importuar nga Brazili me salmonelë dhe ka hyrë në tregun shqiptar.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se bëhet fjalë për fileto pule të ngrirë, e cila ka hyrë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit dhe është bllokuar.

Por AKU nuk bën transparencë për publikun dhe konsumatorët as për sasinë e mishit të pulës që ka bllokuar dhe as nëse ky produkt me salmonelë është hedhur në treg për konsum.

E paqartë mbetet edhe data kur ngarkesa ka hyrë në Portin e Durrësit.

I vetmi informacion që jep Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është se analizat janë kryer në datën 21 mars në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare dhe është konfirmuar prania e salmonelës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit. Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk informon publikun as për subjektin që ka importuar mishin me salmonelë, por deklaron vetëm se rasti është referuar në Prokurorinë e Tiranës për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Salomonela është një bakter që kontaminon kryesisht mishin, qumështin dhe vezët dhe më pas, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku dhe temperaturë./vizionplus