Mish pule me salmonelë në Kosovë? 140 tonë mish bllokohet, dërgohet për testim

Hiç më pak se 140 tonë mish pule i ardhur nga Brazili është bllokuar në depot e kompanive importuese në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur për Kiks Kosovën, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Kjo sasi, ai njofton se është dërguar për testim mikrobilogjik.

Përveç në kufi, AUVK ka tërhequr nga tregu edhe disa produkte të kompanisë Copacol në disa pika të shitjes, mostrat e të cilave po ashtu janë dërguar për testim.

Deri tani, testeve mikrobiologjike u janë nënshtruar të paktën 10 mostra të mishit të ardhur nga Brazili.

Kjo është një masë preventive që ky institucion mori pas incidentit me salmonellë në Shqipëri, ndonëse thotë se nga hulumtimi që kanë bërë, nuk ekziston asnjë argument që vërteton se ky rast lidhet me produktet e të njëjtës kompani apo të cilësdo kompanie braziliane që eksporton në Kosovë.

Nga agjencia e cila ka mision ruajtjen e shëndetit publik nuk dhanë një afat se kur do të publikohet rezultati i këtyre analizave, por thanë që konsumtorët do të njoftohen me këtë rezultat sapo ai të jetë gati.