Miratohet në parim edhe projektligji për sigurimet shëndetësore

65 deputetë kanë votuar pro për të miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ky projektligj u vlerësua si i domosdoshëm edhe nga deputetë të opozitës.

Funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është parakusht për fillimin e sigurimeve shëndetësore, por në praktikë digjitalizimi i sistemit është ende larg përfundimit.

Projektligji siç pati bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas miratimit në qeveri, parashikon përcaktimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit.

3.5 për qind e pagës së të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi do të ndahen si kontribute, si prime për mbushjen e fondit të Sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Një ligj për sigurimin shëndetësor është miratuar edhe në vitin 2014, por nuk ka gjetur zbatim praktik, pavarësisht premtimeve të çdo ministri të shëndetësisë.