Miratohet ligji, dosjet Epstein do të hapen

Në fakt, të dy palët, si rrallëherë, u bënë bashkë rreth votimit të këtij ligji. Vetëm një votë ishte kundër.

Kongresi amerikan ka kaluar thuajse unanimisht një ligj, i cili e bën tashmë të detyrueshme për institucionet të publikojnë dosjet e lidhura me pedofilin Jeffrey Epstein, ku përflitet se emrat më të mëdhenj të politikës dhe jetës publike amerikane janë të përfshirë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur disa herë premtimin e tij për të bërë publike dosjet e Jeffrey Epstein, duke deklaruar se është i gatshëm edhe të nënshkruajë një ligj që detyron publikimin e tyre.

Ai u pati bërë thirrje kongresmenëve të Dhomës së Përfaqësuesve të votonin për transparencë të plotë, duke theksuar se republikanët “nuk kanë asgjë për të fshehur”.

“Ky është një problem i demokratëve. Ata ishin miq me Epsteinin, unë jo”, tha Trump.

Në fakt, të dy palët, si rrallëherë, u bënë bashkë rreth votimit të këtij ligji. Vetëm një votë ishte kundër.

Kjo nuk është hera e parë megjithatë që Trump jep një premtim të tillë. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump pati deklaruar se do t’i publikonte dosjet, por nuk e realizoi kurrë.

Tani, ai pretendon se demokratët po përdorin historinë Epstein për të devijuar vëmendjen nga “dështimet e mëdha”, përfshirë mbylljen e qeverisë, e cila u rihap ditët e fundit.

Rikthimi i kësaj teme hap sërish debatin për transparencën e figurave politike dhe lidhjet e mundshme me Epstein-in, ndërkohë që presioni për publikimin e dokumenteve mbetet i lartë nga të dyja krahët e spektrit politik.

Teksa, kurioziteti i publikut, është më se i qartë: Të gjithë duan të dinë çfarë ‘fshihet’ në dosjet Epstein.