Ministria e pranon: Nafta po shitet 2 cent mbi marzhën e lejuar

Të dhënat e publikuara nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tregojnë se dizeli në disa pika të shitjes është ekspozuar për konsumatorët deri në 1.54 euro për litër, rreth 2 cent më shumë se marzha maksimale e lejuar sipas vendimit të ministrisë.

Sipas njoftimit, çmimi mesatar i importit më 11 mars ka qenë 1.40 €/litër, ndërsa vendimi i datës 04.03.2026 përcakton marzhën maksimale prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë.

Nëse këtij çmimi i shtohet marzha e lejuar, çmimi maksimal në treg do të duhej të ishte rreth 1.52 €/litër. Megjithatë, monitorimi i tregut nga vetë ministria tregon se çmimi ka arritur deri në 1.54 €/litër, duke kaluar kufirin teorik.

Njoftimi i plotë i ministrisë:

Prishtinë, 12 mars 2026

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruar nga ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së mërkurë, datë 11.03.2026, ka qenë si në vijim:

• Naftë (Dizel): 1.40 €/litër;
• Benzinë: 1.22 €/litër;

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

• Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër;
• Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër;

Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:

• dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
• dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mosrespektim i vendimit të marzhës apo praktika që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.