Ministria e Pecit hesht ndaj kërkesës për anulimin e një avancimi të dyshuar të paligjshëm – Këshilli hedh ankesën si të parakohshme

Një nëpunës civil në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka kërkuar nga Sekretarja e Përgjithshme e këtij institucioni që të ndërmarrë masa ligjore për anulimin e një vendimi të vitit 2015, për të cilin dyshon se ka sjellë avancim të kundërligjshëm në pozitë të një zyrtari tjetër.

Megjithatë, sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com, Ministria që udhëhiqet nga Faton Peci, nuk ka kthyer asnjë përgjigje ndaj kësaj kërkese, duke e lënë pezull çështjen për disa muaj. Heshtja e institucionit e ka shtyrë nëpunësin të parashtrojë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Por, më 25 shtator 2025, Këshilli ka vendosur ta hedhë ankesën si të parakohshme, duke konstatuar se ankuesi e kishte dorëzuar ankesën pa kaluar afati ligjor për përfundimin e procedurës administrative, pra ende pa u përmbushur kushtet për të konstatuar “heshtje administrative”.

“Ankesa e ankuesit është e parakohshme, pasi që ende pa kaluar afati ligjor për përfundimin e procedurës administrative të iniciuar sipas njoftimit të datës 27.06.2025 është parashtruar në Këshillin Mbikëqyrës”, thuhet në vendimin e Këshillit, me numër A.nr.1581/2025.

Sipas dokumentit, nëpunësi civil, i cili tashmë mban pozitën “Inspektor për Silvikulturë, Mbrojtje të Pyjeve dhe Gjueti” në Ministri, kishte kërkuar nga Sekretarja e Përgjithshme dhe Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore që të shfuqizohet ose korrigjohet vendimi me numër DP-APK-703/2015 i datës 3 shtator 2015, për shkak të avancimit të kundërligjshëm të zyrtarit M.R.

Në vendim, Këshilli sqaron se Ministria ka pranuar kërkesën për përgjigje më 29 gusht 2025 dhe e ka dorëzuar më 10 shtator 2025, bashkë me dokumentacionin përcjellës, por pa dëshmi se i është kthyer ndonjë përgjigje formale ankuesit për kërkesën e tij fillestare.

Ky rast, ngre dyshime për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies brenda Ministrisë, sidomos në rastet që lidhen me avancime të dyshimta në pozitë.

Pra, fakti që një zyrtar detyrohet të ndjekë procedura ankimore për të marrë përgjigje ndaj një kërkese të thjeshtë administrative është tregues i një kulture të dobët institucionale.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës në fund i ka dhënë palës së pakënaqur të drejtën që brenda 30 ditëve ta dërgojë rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative. /Demokracia.com/