Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dhënë një tender në vlerë 14 mijë euro për angazhimin e një personi për burime njerëzore. Ky person, këtë punë në MSHT e ka fituar pa asnjë konkurrencë.
Angazhimi i një (eksperti) kontraktori individual në Divizionin e Burimeve Njerëzore i ka kushtuar hiç më pak se 14 mijë euro Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ky institucion që drejtohet nga Arbërie Nagavci ka angazhuar këtë person përmes një tenderi, por në garë nuk ka qenë askush tjetër, shkruan Demokracia.com.
Kjo punë i është besuar një personi me emrin Lulzim Aliaj.
“Angazhimin e 1 (një) kontraktori individual në divizionin e Burimeve Njerëzore. Data e nënshkrimit te kontratës: 05.02.2025. Numri i tenderëve te pranuar: 1 Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 1 Emri zyrtar: Lulzim Aliaj. Vlera e përgjithshme e kontratës 14,400.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Tutje në dosjen e tenderit tregohet se cfarë pune do të bëjë ky person në MASHT.
“1 (një) Kontraktor individual në divizionin e Burimeve Njerëzore për angazhimin rreth proceseve te organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në administratën qëndrore – MASHTI. Ofrimi i këshillave për zbatimin e legjislacionit për zyrtarët publik dhe legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura. Ofrimi i këshillave për hartimin e plotësim ndryshimeve të nevojshme të përshkrimeve të punës, duke marr parasysh rekomandimet dhe sfidat e evidentuara. Ofrimi i këshillave dhe rekomandimeve për transferimet/sistematizimin e nëpunësve pas procesit të ristrukturimit. Ofrimi i këshillave dhe mbështetjes për përgatitjen dhe shpalljen e konkurseve të reja për pozitat e lira të nivelit drejtues dhe profesional. Përgatitja e projektvendimeve për emërimin e Komisionit të Pranimit për procedurat e rekrutimit të publikuara; etj”.
Është treguar edhe për shkollimin që është dashur ta ketë ky person për ta fituar këtë punë.
“Diplomë Universitare Fakulteti Juridik. Të ketë së paku 10 vite përvojë profesionale në hartimin dhe analizimin e legjislacionit. Të ketë përvojë në procesin e sistematizimit të vendeve të punës në administratën publike. Të ketë përvojë në hartimin e vendimeve dhe opinioneve ligjore. Të ketë njohuri për legjislacionin për administratën publike, legjislacionin për zyrtarët publik si dhe legjislacionin për procedurën administrative. Të jetë njohës i fushës dhe të ketë përvojë në hartimin e akteve ligjore, nënligjorë dhe akteve administrative”. /Demokracia.com/