Mbajtja e zgjedhjeve të mundshme këtë vit, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me miliona euro.
Pasi viti 2019 nuk është paraparë të jetë vit zgjedhor, Ministria e Financave është e detyruar që alokimin e mjeteve ta bëjë nga kategoria e subvencioneve.
Por, edhe nëse ka kërkesë nga KQZ-ja, Ministria e Financave nuk do të mund ta bëjë një gjë të tillë, pa marrjen e opinionit nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me veprimtarinë e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Megjithatë, sipas Lulzim Rafunës, këshilltar i ministrit në largim të Financave, Bedri Hamza, ndarja e mjeteve nuk do të jetë problem, raporton KTV.
Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nuk kanë dhënë ndonjë shifër se sa mund t’i kushtojë buxhetit organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, një gjë e tillë do të dihet pas planifikimeve të bëra.
Zgjedhjet e parakohshme, qendrore dhe lokale, të mbajtura dy vite më parë, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 11 milionë euro.