Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka rënë sërish në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Bëhet fjalë për një procedurë tenderuese që ka nisur me datën 14 gusht 2024, me vlerë prej 90 mijë euro për “rrënimin e objekteve ku do të ndërtohet godina e re e kësaj ministrie”, shkruan Demokracia.com.
Që nga ajo kohë, për më shumë se 10 muaj, ky aktivitet i prokurimit është përballur me një sërë ankesash nga operatorët ekonomikë, të cilët pretendojnë se kriteret e vendosura në dosjen e tenderit janë të përshtatura për një operator të vetëm, duke e bërë procesin diskriminues dhe të padrejtë.
OSHP urdhëron përmirësime, por ministria i injoron
Kompanitë ankues, përfshirë “Osmani Holding” dhe më vonë “VB Holding sh.p.k.”, kanë fituar disa herë ankesat e tyre pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky i fundit ka urdhëruar në disa raste që ministria të përmirësojë kriteret në dosjen e tenderit. Megjithatë, ministria ka refuzuar të zbatojë në tërësi këto vendime, duke përsëritur të njëjtat gabime.
Në vendimin më të fundit, eksperti shqyrtues i OSHP-së konstaton se shkeljet e njëjta janë evidentuar edhe në ankesat e mëparshme, por ministria nuk ka reflektuar mbi vendimet e mëhershme të Panelit të OSHP-së. Ai madje kritikon ministrinë për zvarritje dhe moszbatim të vendimeve ligjore, çka e bën të gjithë procesin të papranueshëm nga aspekti i transparencës dhe ligjshmërisë.
VB Holding ankimon katër herë të njëjtin tender
Sipas të dhënave zyrtare, kompania “VB Holding” ka paraqitur katër herë ankesë pranë OSHP-së për këtë aktivitet të njëjtë të prokurimit:
- Ankesa e parë është pranuar dhe OSHP urdhëroi përmirësimin e kritereve.
- Pas rishikimit, VB Holding paraqiti një ankesë të re, me pretendimin se kriteret ishin ende të kundërligjshme.
- OSHP e aprovoi pjesërisht këtë ankesë dhe kërkoi rishqyrtim të mëtejshëm.
- Pas rivlerësimit nga autoriteti kontraktues, VB Holding parashtroi edhe një ankesë të katërt, e cila aktualisht është në trajtim.
Fajësohet KRPP-ja për mosveprim
Në opinionin e tij, eksperti shqyrtues ka ngritur edhe një çështje tjetër serioze – mosreagimin e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP). Sipas tij, ky institucion ka për obligim të monitorojë të gjitha njoftimet për kontratë në platformën elektronike të prokurimit, dhe në rast të identifikimit të ndonjë kriteri diskriminues ose joligjor, të rekomandojë korrigjimin e tij. Në këtë rast, KRPP nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar dhe nuk ka ndërhyrë, ndonëse kriteret e diskutueshme janë publikuar në platformën e-prokurimi.
Mosrespektimi i vendimeve të Panelit të OSHP-së, sipas Ligjit për Prokurimin Publik, përbën shkelje të rëndë ligjore. Në raste të tilla, Paneli ka kompetencë që të iniciojë procedurë në Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), për të kërkuar heqjen e certifikatës profesionale të shefit të prokurimit në ministri dhe për shqipimin e një gjobe, e cila nuk mund të jetë më e vogël se 5 mijë euro.
Mbetet të shihet nëse Paneli do ta ndërmarrë këtë veprim ligjor, ndonëse eksperti shqyrtues nuk e ka propozuar një masë të tillë.
/Demokracia.com/