Një “masë e veçantë” e Ministrisë së Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek disa biznese, prej të cilave ka edhe që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën.
Dizajni i masës ishte bërë në atë formë për t’iu përshtatur bizneseve që duhej përfituar.
Një hulumtim që “Koha Ditore” e ka bërë prej më shumë se dy muajsh ka gjetur një mori shkeljesh që Ministria i ka bërë kur i ka ndarë grantet.
Tre përfitues nuk e plotësonin njërin prej dy kritereve të veçanta të pranueshmërisë; tre emra aksionarësh rezultojnë të jenë përfitues në dy grante; dy projekte fituese paraprakisht ishin mbështetur nga donatorë ndërkombëtarë.
Së paku një përfitues i një milioni eurosh e ka furnizuar gazetën me dokumente të rrejshme, kur është përpjekur të arsyetojë përmbushjen e kritereve.
Për të gjitha shkeljet në këtë proces, gishti është drejtuar nga tre njerëz në Ministrinë e Bujqësisë.