Ministria e Brendshme publikon pr/ligjin, si fitohet shtetësia shqiptare

Ministria e Brendshme ka publikuar sot projektligjin për nënshtetësinë shqiptare.

Në projektligj thuhet se shtetësia shqiptare fitohet me 5 mënyra, lindjes, origjinës, lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizmit dhe birësimit.

P R O J E K T L I GJ PËR SHTETËSINË

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “b”, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj përcakton parimet dhe rregullat për fitimin, rifitimin e humbjen e shtetësisë shqiptare.

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Shtetësi shqiptare”, lidhja e qëndrueshme juridike ndërmjet një personi dhe shtetit shqiptar, që shprehet në të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e ndërsjella e që nuk tregon origjinën etnike të personit.

b) “Person pa shtetësi”, personi që nuk gëzon shtetësinë e asnjë shteti për shkak të mungesës së një lidhjeje të qëndrueshme juridike mes tij dhe një shteti.

c) “Refugjat dhe person në mbrojtje plotësuese”, i njëjti kuptim sipas përkufizimit në ligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë.

ç) “Natyralizim”, mënyra e fitimit të shtetësisë shqiptare nga çdo person i huaj apo pa shtetësi që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe shpreh dëshirën për të qenë shtetas shqiptar.

d) “Fëmijë”, i njëjti kuptim sipas përkufizimit të bërë në ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

dh) “Ministri”, ministri përgjegjës për çështje të shtetësisë.

e) “Ministria”, ministria përgjegjëse për çështje të shtetësisë.

ë) “Origjinë”, lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin me shtetësi shqiptare.

Neni 3

Parimet

Zbatimi i dispozitave të këtij ligji për fitimin, rifitimin dhe humbjen e shtetësisë shqiptare bazohet në parimet e mëposhtme:

a) Çdo person ka të drejtën për të paktën një shtetësi;

b) Shmangie e pashtetësisë;

c) Askujt nuk i mohohet apo hiqet në mënyrë arbitrare shtetësia shqiptare;

ç) Mosdiskriminimi ndërmjet shtetasve shqiptarë, pavarësisht nëse ata janë shtetas që nga lindja apo e kanë fituar shtetësinë shqiptare sipas këtij ligji.

KREU II

FITIMI, RIFITIMI DHE HUMBJA E SHTETËSISË SHQIPTARE

Neni 4

Mënyrat e fitimit të shtetësisë

Shtetësia shqiptare fitohet me:

a) lindje;

b) origjinë;

c) lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë;

ç) natyralizim;

d) birësim.

Neni 5

Fitimi i shtetësisë me lindje

Kushdo që lind, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare dhe regjistrohet si shtetas shqiptar. E drejta për t’u regjistruar si shtetas shqiptar nuk parashkruhet edhe pasi ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç.

Neni 6

Fitimi i shtetësisë me origjinë

1. Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin.

2. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3. Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 7

Fitimi i shtetësisë me lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë

1. Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë fiton shtetësinë shqiptare në rast se ai është lindur nga prindër të panjohur dhe, si pasojë, do të mbetej pa shtetësi.

2. Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur moshën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç dhe janë shtetas të huaj, ata mund të kërkojnë heqjen e shtetësisë shqiptare të fëmijës, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi, si pasojë e këtij veprimi.

Neni 8

Fitimi i shtetësisë me natyralizim

1. Shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;

b) Ka zotësi juridike për të vepruar;

c) Qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt;

ç) Ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;

d) Disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë, që përkojnë me standardin minimal të jetesës, të indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore;

dh) Nuk ka qenë i dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;

e) Zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë;

ë) Nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

2. Në rast se personi është pa shtetësi, ai mund të fitojë shtetësinë shqiptare nëse plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij neni, dhe provon se ka lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë.

3. I huaji, që është i martuar me shtetas shqiptar për një periudhë prej jo më pak se 3 (tre) vjetësh, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “e”, të pikës 1, të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 (një) vit.

4. Në rast se të dy prindërit fitojnë shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tyre, nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur jeton me prindërit, fiton shtetësinë shqiptare me kërkesën e prindërve dhe me pëlqimin e fëmijës kur është në moshën 14-18 (katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë) vjeç.

5. Në rast se njëri prej prindërve fiton shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tij, nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, fiton shtetësinë shqiptare, nëse kërkohet nga të dy prindërit ose nga njëri prej prindërve dhe fëmija ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë e, në këtë rast, prindi tjetër duhet të japë pëlqimin. Përjashtohen rastet kur vërtetohet pamundësia objektive e prindit tjetër për të dhënë pëlqimin.

6. Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim, sipas parashikimeve të këtij neni, përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 9

Rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare

1. Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

2. Procedura e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme nga institucionet përgjegjëse, në rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë, sipas këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

3. Kriteret për fitimin e shtetësisë, programet e veçanta që zbatohen për rastet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, si dhe procedurat e verifikimit dhe monitorimit miratohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

Neni 10

Fitimi i shtetësisë me birësim

1. Fëmija i birësuar fiton shtetësinë shqiptare nëse birësuesi ka shtetësinë shqiptare.

2. Në rast birësimi, nga dy bashkëshortë me shtetësi shqiptare, të një fëmije me shtetësi tjetër ose pa shtetësi, fëmija fiton shtetësinë shqiptare. Fëmija i birësuar e fiton shtetësinë shqiptare edhe kur vetëm njëri prej bashkëshortëve është shtetas shqiptar, si dhe në çdo rast tjetër kur fëmija rrezikon të mbetet pa shtetësi, si rezultat i birësimit.

3. Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me birësim, sipas parashikimeve të këtij neni, përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 11

Fitimi i shtetësisë nga refugjatët apo personat në mbrojtje plotësuese

1. Shtetësia shqiptare fitohet nga refugjati apo personi në mbrojtje plotësuese, që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;

b) Ka zotësi juridike për të vepruar;

c) Ka qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme, për jo më pak se 10 (dhjetë) vjet, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga dita e komunikimit të vendimit për dhënien e statusit nga autoriteti përgjegjës për azilin e refugjatët, sipas ligjit për azilin në Republikën e Shqipërisë;

ç) Ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;

d) Disponon të ardhura ose burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë;

dh) Nuk ka qenë i dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;

e) Zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të certifikuar nga institucioni përkatës arsimor publik, si dhe njohuritë bazë të historisë e të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë që ushtrojnë veprimtari në fushën përkatëse;

ë) Nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

2. Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare për këtë kategori përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 12

Humbja e shtetësisë

1. Shtetësia shqiptare humbet në këto raste:

a) Me heqjen dorë, me kërkesë dhe kur plotësohen kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 13, të këtij ligji;

b) Me heqjen e shtetësisë, pa kërkesë të shtetasit, në rastet e përcaktuara në nenin 15, të këtij ligji;

Neni 13

Heqja dorë nga shtetësia

1. Një person mund të heqë dorë nga shtetësia shqiptare kur ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;

b) Nuk mbetet pa shtetësi, si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare;

c) Është rezident në një shtet të huaj;

ç) Ndaj tij nuk ka filluar ndjekja penale për veprat penale, për të cilat, sipas legjislacionit penal shqiptar, parashikohet dënim me burgim jo më pak se 5 (pesë) vjet;

d) Nuk ka detyrime ligjore ndaj institucioneve publike, personave fizikë dhe juridikë;

dh) Ka likuiduar të gjitha detyrimet financiare që mund të ketë ndaj gruas apo fëmijës së tij, të cilët kanë shtetësinë shqiptare.

2. Dokumentacioni i nevojshëm për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 14

Heqja dorë për fëmijën

1. Një fëmijë nuk do të gëzojë më shtetësinë shqiptare, kur të paktën njëri nga prindërit ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare dhe është dhënë pëlqimi i të dy prindërve.

2. Fëmija nuk e gëzon më shtetësinë shqiptare kur birësohet nga prindër të huaj dhe fiton shtetësinë e tyre.

3. Nëse prindërit janë të divorcuar, kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare bëhet nga prindi, të cilit i është lënë përgjegjësia prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, duke marrë pëlqimin e prindit tjetër. Pëlqimi i prindit tjetër nuk do të jetë i nevojshëm nëse ai nuk ka një vendbanim të regjistruar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë apo jashtë saj apo i është hequr përgjegjësia prindërore me vendim të gjykatës.

Neni 15

Heqja e shtetësisë

1. Shtetësia shqiptare hiqet pa kërkesë në rastet, si më poshtë vijon:

a) Kur vërtetohet se shtetasi ka paraqitur dokumente të falsifikuara për fitimin e shtetësisë;

b) Kur shtetasi përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

2. Në rastin e heqjes së shtetësisë, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, shtetësia hiqet në bazë të informacioneve të verifikuara nga institucionet përgjegjëse ligjzbatuese dhe brenda një afati 10-vjeçar nga bërja e betimit.

3. Në rastin e heqjes së shtetësisë, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, shtetësia hiqet në bazë të informacioneve të verifikuara nga institucionet përgjegjëse ligjzbatuese apo kur shtetasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, vetëm për shtetasit që e kanë fituar shtetësinë shqiptare me natyralizim dhe nëse personi nuk rrezikon të mbetet pa shtetësi.

. Shtetësia shqiptare sipas këtij neni hiqet me dekret të Presidentit të Republikës. Në këtë rast personi pushon së qenuri shtetas shqiptar në momentin e komunikimit të dekretit dhe, përjashtimisht, nëse nuk mund t’i komunikohet dekreti, pas botimit të tij në “Fletoren zyrtare”.

5. Kundër dekretit për heqjen e shtetësisë shqiptare, shtetasi ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatën kompetente administrative, në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin përkatës në fuqi.

6. Heqja e shtetësisë shqiptare sipas këtij neni nuk ka efekt për fëmijët e shtetasit, të cilit i hiqet shtetësia.

Neni 16

Rifitimi i shtetësisë
Personi që ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare dhe dëshiron të rimarrë atë paraqet kërkesë për rifitimin e shtetësisë shqiptare sipas procedurës për fitimin e shtetësisë, të përcaktuar në këtë ligj. Në këtë rast, personi duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

KREU III

PROCEDURA PËR FITIMIN, RIFITIMIN DHE HUMBJEN E SHTETËSISË SHQIPTARE

Neni 17

Paraqitja e kërkesës

1. Kërkesa për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare paraqitet pranë strukturave vendore përgjegjëse të Policisë së Shtetit të vendbanimit të personit.

2. Në rast se personi banon jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kërkesa për heqjen dorë dhe rifitimin e shtetësisë shqiptare dhe dokumentacioni i kërkuar sipas këtij ligji mund të paraqitet pranë misionit diplomatik apo postit konsullor të Republikës së Shqipërisë të akredituar në shtetin ku ka vendbanimin.

3. Forma dhe mënyra për plotësimin e kërkesës sipas pikave 1 e 2, të këtij neni, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për punët e jashtme dhe shoqërohet me dokumentacionin e nevojshëm të përcaktuar me udhëzim të ministrit.

4. Tarifa për kërkesën për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, sipas pikave 1 e 2, të këtij neni, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat. Në çdo rast, tarifa nuk mund të tejkalojë koston e shërbimit.

Neni 18

Shqyrtimi i kërkesës

1. Pas paraqitjes së kërkesës, sipas pikës 1, të nenit 17, të këtij ligji, struktura vendore e Policisë së Shtetit kryen verifikimet e nevojshme për vlerësimin e cenimit të sigurisë publike dhe, brenda një afati 1-mujor nga paraqitja e kërkesës, e dërgon kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues pranë strukturës përgjegjëse për trajtimin e çështjeve të shtetësisë në ministri.

2. Pas paraqitjes së kërkesës sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij ligji, misioni diplomatik apo posti konsullor, dërgon kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues pranë ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, e cila, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve i përcjell për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse në ministri.

3. Me paraqitjen e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues, sipas pikave 1 e 2, të këtij neni, ministria, brenda 6 (gjashtë) muajve, shqyrton dokumentacionin e paraqitur, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe i përcjell Presidentit të Republikës propozimin për nxjerrjen e dekretit. Procedura për kryerjen e verifikimeve pranë institucioneve përgjegjëse përcaktohet me udhëzim të ministrit.

4. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, ministria, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, ia kthen strukturave dhe institucioneve të përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij neni, të cilat njoftojnë personin e interesuar brenda një afati 15-ditor. Pas plotësimit të dokumentacionit zbatohet procedura sipas pikës 3, të këtij neni.

5. Në rast se pas verifikimeve të kryera rezulton se nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në këtë ligj, ministria, nëpërmjet strukturave dhe institucioneve të përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij neni, njofton personin e interesuar për refuzimin e kërkesës. Refuzimi bëhet me akt administrativ të ministrit. Kundër këtij akti, personi që ka paraqitur kërkesën mund të bëjë ankim në gjykatën kompetente administrative, në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin përkatës në fuqi.

Neni 19

Procedura e heqjes së shtetësisë

1. Ministria, pasi vihet në dijeni se një shtetas shqiptar është subjekt i rasteve të përcaktuara në nenin 15, të këtij ligji, bashkëpunon me institucionet përgjegjëse ligjzbatuese për verifikimin e informacionit, sipas procedurës së përcaktuar me udhëzim të ministrit.

2. Në përfundim të kryerjes së verifikimeve, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, ministria i përcjell Presidentit të Republikës propozimin për nxjerrjen e dekretit për heqjen e shtetësisë.

Neni 20

Dekreti për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë

1. Presidenti i Republikës, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga paraqitja e propozimit nga ministria, nxjerr dekretin përkatës dhe ia komunikon personit që ka paraqitur kërkesën, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Në rast se kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues nuk janë të plota, i kthehen për plotësim strukturës përgjegjëse për trajtimin e çështjeve të shtetësisë në Ministrinë e Brendshme, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes.

2. Kopje e dekretit për fitimin, rifitimin ose lënien e shtetësisë shqiptare i dërgohet edhe Ministrisë së Brendshme për të kryer veprimet e nevojshme administrative.

3. Dekreti botohet në “Fletoren zyrtare”.

4. Dekreti për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare regjistrohet në një regjistër të veçantë për qëllime statistikore, për administrimin e të cilit respektohen dispozitat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, formati i të cilit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 21

Betimi

Personi që fiton shtetësinë shqiptare, sipas këtij ligji, betohet para kryetarit të bashkisë, në territorin e së cilës ka vendbanimin, apo para punonjësit të autorizuar prej tij për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 22

Afati për kryerjen e betimit

1. Dekreti për fitimin e shtetësisë shqiptare nuk do të ketë efekt nëse, brenda 6 (gjashtë) muajve nga njoftimi i tij, personi nuk është betuar sipas nenit 21, të këtij ligji.

2. Afati i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, nuk zbatohet në rast se, për shkaqe objektive dhe të arsyeshme, personi e ka të pamundur të paraqitet për të kryer betimin. Në këtë rast personi paraqet kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues pranë ministrisë për shtyrjen e afatit për kryerjen e betimit, për aq kohë sa zgjasin shkaqet që kanë diktuar shtyrjen e afatit, por, në çdo rast, jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) muaj nga data e mbarimit të afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni. Procedura dhe dokumentacioni për shtyrjen e afatit për kryerjen e betimit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

3. Kryerja e betimit bëhet sipas procedurës së parashikuar në legjislacionin për gjendjen civile.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 23

Shfuqizimi

Ligji nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimi nr.554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 24

Dispozitë kalimtare

1. Kërkesat për fitimin, rifitimin apo lënien e shtetësisë shqiptare, të cilat janë paraqitur pranë Ministrisë së Brendshme dhe/ose misionit diplomatik, apo postit konsullor, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të trajtohen sipas ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar.

2. Personi që ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk ka apo nuk ka fituar shtetësi tjetër, rifiton shtetësinë shqiptare mbi bazën e kërkesës së paraqitur dhe dokumentacionit shoqërues, nëse nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare. Në këtë rast kërkesa do të trajtohet sipas ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar.

Neni 25

Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë akt nënligjor, në zbatim të pikës 2, të nenit 9, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri i Brendshëm që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë akt nënligjor, në zbatim të pikës 3, të nenit 6, të pikës 6, të nenit 8, të pikës 3, të nenit 10, të pikës 2, të nenit 11, të pikës 2, të nenit 13, të pikës 3, të nenit 18, të pikës 1, të nenit 19, të pikës 4, të nenit 20 dhe të pikës 2, të nenit 22, të këtij ligji.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin akt nënligjor, në zbatim të pikës 3, të nenit 17, të këtij ligji.

4. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin akt nënligjor, në zbatim të pikës 4, të nenit 17, të këtij ligji.

Neni 26

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI