Ministria e Artane Rizvanolli kërkon ekspert të prokurimit me tender, pavarësisht kufizimeve ligjore

Institucionet publike të Kosovës po vazhdojnë të kontraktojnë persona fizikë përmes procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik. Së fundmi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka hapur një tender për angazhimin e një eksperti të prokurimit, një praktikë që bie në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, shkruan Demokracia.com.

Tenderi është publikuar në platformën e prokurimit elektronik (E-prokurimi) më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, kur institucionet ishin në pushim. Ky tender mbetet i hapur vetëm deri më 21 shkurt, duke ngritur dyshime për transparencën dhe përfshirjen e gjerë në procesin e ofertimit.

Kohëzgjatja e kontratës është vetëm 6 muaj, me një çmim të vendosur prej 5400 euro.

Ministria ka arsyetuar këtë procedurë duke deklaruar se ndodhet në një fazë kritike të përmbylljes së kontratës për shërbime të inxhinierit të pavarur, një komponent kyç për realizimin e Projektit të Parkut Solar 100 MW në Kramovik. Sipas saj, ky proces ndodhet në fazën e ankesave dhe kërkon përvojën e një eksperti për të garantuar përfundimin me sukses të projektit.

Megjithatë, Demokracia.com ka analizuar dokumentet e tenderit dhe ka gjetur se ky proces nuk i përmbush kërkesat e nenit 57 të Rregullores Nr. 01/2022 për Prokurimin Publik. Sipas kësaj rregulloreje, institucionet mund të kontraktojnë shërbime të veçanta vetëm nëse ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë. Për më tepër, shërbimet e kontraktuara duhet të jenë profesionale dhe jashtë kuadrit të organogramit të institucionit.

Sipas termave të referencës në dosjen e tenderit, i kontraktuari do të ketë detyra që përfshijnë:

  • Koordinimin e dokumenteve, projekteve dhe specifikimeve me udhëheqësin e njësisë kërkuese;
  • Përgatitjen dhe publikimin e kontratës për inxhinierin e pavarur;
  • Organizimin e ankandeve dhe publikimin e njoftimeve;
  • Formimin dhe njoftimin e komisionit të hapjes në bashkëpunim me Zyrën e Prokurimit Publik;
  • Regjistrimin e të dhënave për pjesëmarrësit, procedurat dhe vendimet gjatë ankandeve;
  • Mbikëqyrjen e përmbushjes së obligimeve kontraktuale nga inxhinieri i pavarur.

Detyra të tilla si “bashkëpunimi me udhëheqësin e njësisë kërkuese” apo “përgatitja dhe publikimi i kontratës”, etj, janë punë administrative që zakonisht kryhen nga zyrtarët e rregullt të institucionit dhe nuk përbëjnë shërbime të veçanta. Kjo e bën këtë praktikë të diskutueshme nga aspekti ligjor.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) muaj më parë ka shprehur shqetësim për punësimet përmes tenderëve në institucionet publike, duke i cilësuar shumicën e tyre si të kundërligjshme. KRPP ka konstatuar se në vitet e fundit, veçanërisht gjatë 2023-2024, disa autoritete kontraktuese kanë zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve të prokurimit për shërbime të veçanta që nuk janë në përputhje me nenin 57 të Rregullores Nr. 01/2022.

“Sipas nenit 57.2 të Rregullores Nr. 01/2022 për Prokurimin Publik, këto dispozita aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ndërkaq, sipas nenit 57.3, këto shërbime duhet të jenë profesionale dhe të kategorive specifike që nuk mund të mbulohen nga stafi aktual i institucionit”, thuhet në një reagim të KRPP-së.

Ky institucion u kishte kërkuar të gjithë zyrtarët përgjegjës për prokurimin në autoritetet kontraktuese që të sigurohen që angazhimi i këtyre konsulentëve dhe kontraktorëve individualë të bëhet vetëm në përputhje me dispozitat ligjore. Përndryshe, KRPP ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk respektojnë këto rregulla.

“Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik tërheq vërejtjen për të gjithë zyrtarët përgjegjës të prokurimit që të ndërmarrin masa konkrete për përmbushjen e detyrimeve ligjore në proceset e prokurimit. Në të kundërtën, KRPP mund të ndërmarrë masa të menjëhershme, në përputhje me nenin 25.8 të Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në reagim.