Ministria Drejtësisë lidh kontratën e tretë për t’u mbrojtur në Arbitrazh pas padisë për rrugën Prishtinë–Mitrovicë

Një kompani nga Shqipëria, e cila operon edhe në Kosovë, ka ngritur një paditje kundër shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit në Strasburg. Padia është iniciuar pas ndërprerjes së kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e një segmenti rrugor në mes të Prishtinës dhe Mitrovicës. Ministria ka ndërprerë kontratën duke argumentuar vonesa në realizimin e punimeve, ndërsa kompania ka kundërshtuar vendimin dhe kërkon kompensim për dëmet e pretenduara. Sipas informacioneve te Demokracia.com, shteti i Kosovës është angazhuar tashmë me tre kontrata të negocuara për të mbrojtur interesat e tij në procedurat e Arbitrazhit për të njëjtën padi.

Sot është parashikuar që të lidhet kontrata e tretë me negocim për rastin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Tenderi quhet “Sherbime Ekspertize Ligjore” dhe pritet të nënshkruhet sot me kompaninë “SEJDIU & QERKINI” SH.P.K në një vlerë prej 29,500.00 euro. Përshkrimi i detyrave specifike do të përcaktohet në bazë të lëndës së procedurës, duke përfshirë përgjigjen ndaj raporteve të paraqitura nga ekspertët e dëshmitarit të paditësit (nëse të disponueshëm), pjesëmarrjen në takime me këshilltarët e jashtëm dhe/ose të brendshëm të Republikës së Kosovës për përgatitjen e raporteve, si dhe dëshminë në seanca gjyqësore nëse kërkohet, përfshirë udhëtimet për këtë qëllim. Gjithashtu do të rishikohen draftet ligjore të përgatitura nga Avokatura Shtetërore ose këshilltari i Republikës së Kosovës për çështje brenda fushës së dëshmisë së ekspertit nëse kërkohet.

Para pak ditëve, Ministria e Drejtësisë ka lidhur një kontratë tjetër për përfaqësim në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e padi nga kompania nga Shqipëria, e cila operon në Kosovë. Kontrata u realizua përmes një tenderi të proceduruar në mënyrë të negociuar, pa publikuar njoftimin për kontratë. Kompania fituese është “PricewaterhouseCoopers Česká republika, s.r.o” me një kontratë në vlerë prej 578 mijë euro.

Për qëllimin njëta për procedurën e Arbitrazhit, Ministria e Drejtësisë në vitin e kaluar lidhi një kontratë me vlerë 1,475,000 euro me kompaninë Squire Patton Boggs (US) LLP për mbrojtjen e saj. Tenderi u realizua me procedurë të negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë. Fillimisht, Ministria e Drejtësisë kishte ndarë 1.2 milionë euro për këtë rast, por u arrit marrëveshje për një kontratë më të lartë, në vlerën e përmendur.

Kompania nga Shqipëria kishte filluar punimet për ndërtimin e segmentit rrugor në rrugën Nacionale N2 disa vite më parë, por nuk kishte arritur t’i përfundonte në kohë. Shkëputja e kontratës u bë për shkak të vonesave në kryerjen e punimeve, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa kompania fajësonte ministrinë për vonesa në shpronësime. Kompania pretendonte se nuk kishte përdorur operatorë të paligjshëm dhe ishte përmbajtur kushteve kontraktuale.

Në shkurt të viti 2024, Ministria e Infrastrukturës nënshkroi një kontratë të re me vlerë rreth 25 milionë euro me operatorët Eskavatori LLC dhe Hidrosroi Sofia për ndërtimin e një rrugëje të re. Projekti do të financohet nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.

Kosova ka disa raste të humbura në arbitrazh, përfshirë atë me ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. /Demokracia.com/