Ministri Peci shkel ligjin, i hakmerret auditores që zbuloi “ilaçin e morrave”

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është përfshirë sërish në një rast të shkeljes së ligjit dhe hakmarrjes institucionale ndaj auditores së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila kishte dokumentuar parregullsitë në tenderët e Agjencisë së Ushqimit.

Pasi raportimit të Periskopit, ku raportet e auditimit zbuluan se në vend të preparatit për vrasjen e rriqrave ishte blerë një preparat kundër morrave, ministri nuk kërkoi përgjegjësi ndaj Agjencisë, por veproi kundërligjshëm duke ndëshkuar auditoren që kishte zbuluar skandalin.

Në vend që ta përforconte kontrollin institucional, Peci vendosi ta anashkalojë auditimin ligjor, duke transferuar një auditor të besuar të tij nga Ministria e Bujqësisë në Agjencinë e Ushqimit, me qëllim që raportet e auditimit të mos i krijonin më “telashe”.

Në praktikë, kjo nënkuptonte paralizimin e auditimit të brendshëm në Agjenci të Ushqimit dhe zhvendosjen e auditores që kishte evidentuar shkeljet financiare në tenderë.

Në fillim, nga Ministria e Bujqësisë u dërgua Ilir Popaj, një auditor i besuar i Pecit, që raportet t’i hartonte në harmoni me kërkesat e tij. Ndërkaq, auditorja e ligjshme e AUV-së u la pa asnjë portofol pune, duke u izoluar praktikisht nga detyrat që i takonin me ligj.

E pafuqishme përballë presionit institucional, ajo ankimoi rastin në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli, pas shqyrtimit të dokumenteve, konstatoi se transferimi i auditorit nga Ministria e Bujqësisë në Agjencinë e Ushqimit ishte i kundërligjshëm, dhe e obligoi Agjencinë ta zbatonte vendimin brenda 15 ditësh, duke e larguar auditorin e Ministrisë dhe duke e kthyer në punë auditoren legjitime të Agjencisë.

“Obligohet Drejtori Ekzekutiv dhe Divizioni i Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi brenda 15 ditësh nga pranimi, ashtu që ankueses t’i mundësohet ushtrimi i detyrave të punës sipas aktit të emërimit të saj të datës 16.09.2016”, thuhet në vendimin e Këshillit.

Por ligji sërish u injorua. Në vend se të zbatohej vendimi, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit nënshkruan një marrëveshje të re, me të cilën e rikthyen të njëjtin zyrtar të kundërligjshëm, auditorin Ilir Popaj.

Kjo marrëveshje u lidh pak ditë pas vendimit të Këshillit, duke e sfiduar hapur autoritetin e këtij institucioni mbikëqyrës.

Ankesën e plotë të auditorës gjeni këtu

Periskopi ka siguruar kopjen e marrëveshjes së re të nënshkruar mes palëve, për “transferimin e përhershëm” të auditorit të Ministrisë në AUV, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vendimin e KPMSHCK-së.

Dokumenti është nënshkruar nga sekretarja e Ministrisë së Bujqësisë, Venera Cerkini, dhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit, Bekim Hoxha, një bashkëpunëtor i afërt i ministrit Peci.

“Objekt i kësaj marrëveshjeje është transferimi i përhershëm i zyrtarit z. Ilir Popaj, nga pozita e Auditorit të Brendshëm në Ministrinë e Bujqësisë në pozitën e Auditorit të Brendshëm në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Periskopi.

Transferin e kanë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke konfirmuar shkeljen ligjore dhe anashkalimin e vendimit të Këshillit. Këtë transfer, kjo agjenci e ka quajtur “interes institucional”,

“Me datë 01.09.2025 sipas marrëveshjes për transferim të përhershëm të nëpunësit civil për interes të institucionit, ndërmjet MBPZHR-AUV, z. Ilir Popaj është transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit për Periskopi.

Me këtë veprim, ministri Peci jo vetëm që shkel ligjin për shërbimin civil, por rishkel edhe një vendim të formës së prerë të një organi të pavarur shtetëror.

Në praktikë, kjo nënkupton përpjekje për të kontrolluar auditimin e një institucioni që zyrtarisht është nën mbikëqyrjen e tij, Agjencinë e Ushqimit.

Peci e kishte shfaqur hapur pakënaqësinë ndaj auditores në një intervistë televizive, ku me ton të lartë dhe me goditje tavoline, kishte ironizuar punën e saj, duke u shprehur me përçmim se “raportet janë bërë nga një ekonomiste”.

“Edhe ka dalë një ekonomist që ka thënë ‘jo, Deltanili nuk është produkti adekuat’. Këtë e ka thënë një ekonomist!”, kishte deklaruar ai me nervozizëm, duke e ulur peshën e raporteve profesionale.

Në fakt, të gjithë auditorët në institucionet publike janë ose ekonomistë, ose juristë, profesione që përkufizohen ligjërisht si profile kompetente për këtë fushë.

Por për ministrin Peci, fakti që auditorja ishte ekonomiste mjaftoi për ta nënçmuar dhe për ta zëvendësuar me një auditor të tij “besnik”, që raportet të dilnin sa më të buta, “si pambuk”./Periskopi