Ministri me aktakuzë për sulm dhe kërcënim, paraqitet në mbledhjen e Qeverisë

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka bërë paraqitjen e tij të parë publike në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Ai ishte pjesëmarrës në mbledhjen e sotme të ekzekutivit në detyrë, pavarësisht veprave penale “sulm dhe kanosje” që rëndojnë mbi të.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, 16.04.2025

Më 23 mars 2025, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve, përfshirë ministrin Damka dhe një tjetër person me inicialet F.D., të cilët dyshohen për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”, të kryera më 9 shkurt në Prizren.

Sipas aktakuzës, Fikrim Damka akuzohet se ka përdorur forcë fizike ndaj dy personave, A.M. dhe M.J., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me publikime në rrjetet sociale që kishin të bënin me partinë KDTP dhe vetë Damkën.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur më 9 shkurt rreth orës 17:20, në një park të lagjes ku po qëndronin të dëmtuarit bashkë me anëtarë të partisë YTHP. Damka, sipas aktakuzës, iu afrua me vrull të dëmtuarës A.M., i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas e kap nga supet dhe e shtyn. Pas ndërhyrjes së të pranishmëve, ai më pas dyshohet se ka sulmuar fizikisht edhe M.J., duke e goditur me trup dhe me kokë, duke i shkaktuar dhimbje fizike.

Gjithashtu, aktakuza përfshin edhe një të pandehur tjetër, F.D. (1972), i cili sipas Prokurorisë ka kanosur A.M. dhe M.J. duke u thënë se do t’i privojë nga jeta, duke u shkaktuar frikë dhe pasiguri personale. Me këto veprime i njëjti, kryen veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor, provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ndërkaq, Damka ka thënë se ai bashkë edhe me të akuzuarin tjetër janë të pafajshëm.

Damka kishte deklaruar kjo do të dëshmohet në gjykatë.

“E gjithë aktakuza është pabazë. Krejt do të sqarohet në gjykatë. Jemi të pafajshëm dhe kjo do të shihet dhe të dëshmohet në gjykatë. Nuk ka pasur sulm”, ishte shprehur ai për mediat./Paparaci