Ministri i Jashtëm çek për takimin Trump-Putin: Dëgjuam përsëri budallallëqe propagandistike të Rusisë

Jan Lipavsky, ministër i Jashtëm i Republikës Çeke, ishte evropiani i parë që reagoi ndaj takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin, i zhvilluar të mërkurën në Alaskë.

Në fillim të deklaratës së tij, shefi i diplomacisë çeke i dërgoi një mesazh Trumpit, duke e falënderuar për “përpjekjen që ta ndalë luftën”.

“E përshëndes faktin që presidenti Trump përpiqet të ndalojë luftën, bisedon vazhdimisht me zyrtarët evropianë dhe do të na informojë edhe neve në Evropë, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky”, tha ai.

 

Në pjesën tjetër të mesazhit, ai kritikoi ashpër deklaratat e zyrtarëve rusë, veçanërisht Putinit.

“Nga Putini dëgjohet përsëri e njëjta propagandë për ‘rrënjët e konfliktit’, ashtu siç e transmeton televizioni shtetëror rus. Problemi është imperializmi rus, jo dëshira e Ukrainës për të jetuar e lirë”, shkroi kryediplomati çek.

Lipavsky shtoi gjithashtu se “nuk duhet harruar se në këto fjalë janë të fshehura edhe përpjekjet e Putinit për të rikthyer arkitekturën e sigurisë në gjendjen e vitit 1997”.

Ai kujtoi se atëherë Republika Çeke nuk ishte anëtare e NATO-s, dhe theksoi se “është në interesin tonë ekzistencial të parandalojmë skenarë të tillë.”

Në përfundim, ai iu referua faktit që gjatë takimit, Rusia kreu sulme të reja ndaj objektivave civile në të gjithë Ukrainën.

“Nëse Putini do të ishte serioz për negociatat e paqes, nuk do të sulmonte Ukrainën gjatë gjithë ditës,” përfundoi Lipavsky.

Ndryshe, Trump ka deklaruar se preferon marrëveshje për paqe sesa një armëpushim

The post Ministri i Jashtëm çek për takimin Trump-Putin: Dëgjuam përsëri budallallëqe propagandistike të Rusisë appeared first on Kosovapost.net.