Ministrat Majko dhe Gashi vizitë Universitetit popullor shqiptar të Gjenevës

Ministri i Diasporës së Kosovës, Dardan Gashi dhe ai i Republikës së Shqipërisë Pandeli Majko, u pritën në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës. Në këtë takim të karakterit më tepër konsultues i pranishëm ishte edhe zoti Manuele Tornare, drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni edukativ dhe integrues, njëkohësisht edhe deputet i Parlamentit të Zvicrës.

Të dy ministrat e vendeve tona shoqëroheshin nga z.Ilir Gjoni, Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Zvicër dhe z.Ramadan Avdiu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Gjenevë.

Mirëseardhje në Zvicër, gjegjësisht në Gjenevë, mysafirëve nga Shqipëria dhe Kosova u dëshiroi z.Manuele Tornare, i njohur si njëri nga filozofët dhe politikologët më të suksesshëm të Zvicrës.

Tornare,me një përvojë të gjatë në institucionet e Zvicrës,dhe ish-kryetar i kantonit të Gjenevës,në disa mandate tha se Zvicra,që nga krijimi i saj njihet si strehë e të përndjekurve politikë dhe e të varfërve.

Me këtë rast ai u ndal tek qyteti i tij i lindjes Gjeneva,të cilën e cilësoi si çerdhe të dijetarëve dhe filozofëve të mëdhenj si Jean Jacques Rousseau, François-Marie Arouet, i njohur ndryshe si Voltaire, Henri Dunant, e shumë e shumë figura të tjera të cilat sipas zotit Mornare i paraprinë edhe Revolucionit të madh francez të vitit 1789.

Kjo frymë e ideuar nga ata vetëm u përsos edhe më tepër duke e bërë Gjenevën, menjëherë pas Neë York City si qendrën kryesore të diplomacisë botërore.

Marrëdhëniet e vendit të tij me shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, ai i cilësoi të shkëlqyera duke thënë se Zvicra, me kohë ka vlerësuar përpjekjet e drejta të shqiptarëve sidomos të atyre të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ajo duke dënuar haptas dhunën dhe terrorin që bënte regjimi i Milosheviqit, hapi dyert për mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës.

Tornare tha se ndihma jonë dhënë shtetit të Kosovës mendoj se çmohet lart nga populli i saj.

Gjatë qëndrimit tim atje fitova përshtypjen që menjëherë pas ish-Presidentit amerikan Bill Clinton, dhe kancelares gjermane Angela Mercel, simpati të veçantë gëzon edhe zonja Micheline Calmy-Rey, ish-Presidente e Konfederatës së Zvicrës, dhe Ministër e Jashtme e këtij vendi.

Ajo, do të kujtohet gjatë në analet e diplomacisë botërore kur gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë,zyrtarizoi njohjen e Kosovës nga Zvicra, si shtet i Pavarur dhe demokratik.
Ky akt flet më së miri për miqësinë dhe relacionet e shkëlqyera të këtyre dy popujve, që çdoherë synim kanë paqen dhe stabilitetin.

Zoti, Tornare në fund të fjalës së tij në formë batute kujtoi një moment nga ndeshja futbollistike Shqipëri-Zvicër, kur ai kishte pyetur një të ri nga Kosova, se kënd do ta mbështesë në këtë përballje.

Djaloshi i padjallëzuar ishte përgjigjur troç:Kushdo që të fitojë për mua është e njëjtë, duke aluduar në atë se gjysmën e kombëtares zvicerane e përbënin futbollistët me origjinë shqiptare.

Tornare thotë më habiti sinqeriteti i djaloshit sepse vërtetë ashtu edhe ishte.
Përveç futbollit shqiptarët në Zvicër, janë të integruar plotësisht edhe në fushat e tjera e veçmas në dhjetëvjetëshin e fundit, ata janë pjesë e të gjitha institucioneve tona shoqërore dhe politike tha Tornare në përfundim të diskutimit të tij.

Ndërkaq me punën dhe rolin e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës,mysafirët nga Shqipëria dhe Kosova i njoftoi zonja Albana Krasniqi-Malaj, udhëheqëse e tij.

Ajo, tha se ky institucion edukativ dhe formues sikur në të kaluarën ashtu edhe tani është i hapur për të gjitha komunitetet e botës që jetojnë dhe veprojnë në kantonin e Gjenevës.
Gjithashtu u cek edhe ndikimi i tij pozitiv në kohë lufte në Kosovë, kur mijëra shqiptarë tuboheshin këtu për të dhënë ndihmesën e tyre nëpërmjet formave të ndryshme të organizimit për njerëzit e torturuar dhe të izoluar nga regjimi i Millosheviqit.

Derisa zonja Krasniqi-Malaj, po u bënte analizë aktiviteteve të këtij institucioni ndërhyri zoti Manuele Tornare, duke thënë se ky Universitet i tipit Popullor, është vend ku integrohen të rinjtë.

Si i tillë që është çdoherë do ta ketë mbështetjen materiale nga institucionet tona,ngase bënë punë të mirë, dhe menaxhon me kujdes buxhetin e ofruar, duke dhënë llogari qoftë edhe për një qindarkë të shpenzuar.

Kurse ministrat Majko dhe Gashi, si problem në vete shohin rënien drastike të nxënësve shqiptar në shkollat e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe, gjithandej Zvicrës.
Ata thonë se kjo çështje me rëndësi jetike për fëmijët tanë në mërgim duhet të rregullohet sa më parë.

Me të kthyer në Kosovë e Shqipëri,premtojnë se për këtë gjendje jo të mirë do to të raportojnë edhe pranë Ministrive të Arsimit të vendeve të tyre.

Pastaj në kuadër të këtyre Ministrive do të formohen grupe të specializuara dhe do të merret vendim se si të veprohet në të ardhmen.

Takimi u përshkua nga diskutime konstruktive të cilat synim të vetëm kishin përfshirjen masive të fëmijëve tanë në Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe, si dhe ngritjen e cilësisë së tij, duke mos lënë anash edhe angazhimin e kuadrove me përgatitje përkatëse./rajonipress/