Minatorët kërkojnë rritje pagash: Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete

Minatorët e Trepçës, përmes një postimi në Facebook, kanë kërkuar rritje të pagave, duke theksuar nevojën për respekt ndaj punës dhe sakrificave që bëjnë çdo ditë.

Sindikata ka deklaruar se ka ardhur koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.

“Të gjithë po ndjejmë çdo ditë rritjen e çmimeve, rritjen e inflacionit dhe vështirësitë në jetën ekonomike. Ne, minatorët, prej shumë vitesh kemi punuar me durim dhe solidaritet për ndërmarrjen tonë, duke shpresuar që gjendja të përmirësohet, dhe kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur lëvizje dhe përmirësime”.

“Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorët publikë dhe ka premtuar pagën e 13-të, është normale dhe e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të bëjë hapa konkretë për rritje të pagave të minatorëve”.

“Gjatë vitit të fundit, puna jonë ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit. Ky sukses nuk do të kishte ndodhur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna dhe sakrifica jonë të vlerësohen dhe të shpërblehen me rritje pagash, po ashtu siç po ndodh në sektorët e tjerë publikë dhe private”.

“Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë. Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë”, thuhet në shkrimin e kësaj sindikate.