Minatorët hyjnë në grevë, shkak mos ekzekutimi i pagave

Tash e shtatë ditë, minatorët e ndërmarrjes “Trepça” kanë hyrë në grevë.

Arsyeja e hyrjes në grevë është mosekzekutimi i pagave për muajin qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur për Front Online kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

Jonuzi deklaroi se minatorët po i kërkojnë pagat e nuk duan të punojnë pa ekzekutimin e tyre.

“Minatorët që shtatë ditë nuk janë duke punuar pasi nuk ju kanë dalë ende pagat as për muajin qershor. Në mëngjes po vijnë e po i kërkojnë pagat e tyre. Punëtorët pa paga nuk punojnë”, u shpreh Jonuzi.

Të hënë kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim bordin e ri të “Trepçës”, ku ka shprehur gatishmëri për ta përkrahur këtë ndërmarrje.

Front Online ka pyetur kreun e sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, nëse kanë biseduar me bordin lidhur me ndonjë premtim të Qeverisë pas takimit, por i njëjti tha se mungon komunkimi me ta.

“Nuk ka komunikim as nga menaxhmenti e as nga bordi janë mbyllur me komunikim ky është problemi më i madh. Janë krijuar ndasi të mëdha”, deklaroi Jonuzi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takoi Bordin e ri Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike “Trepça”, të emëruar në mbledhjen e 212-të të Qeverisë.