Oda e Arkitektëve e Republikës së Kosovës (OARK) ka njoftuar se, pas dorëheqjes së parevokueshme të kryetarit Uran Kyçyku, Bordi Drejtues ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë institucionale dhe funksionimin e rregullt të Odës.
Sipas njoftimit, në mbledhjen e mbajtur më 8 qershor 2026, Bordi Drejtues ka zgjedhur me shumicë votash anëtaren e bordit, Mimoza Haxhija-Jedrashi, në postin e kryetares së Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës për periudhën e mbetur të mandatit.
Haxhija-Jedrashi është një profesioniste e dëshmuar në arkitekturë, menaxhim dhe udhëheqje projektesh komplekse publike dhe private.
Ajo ka përvojë të gjerë menaxheriale në koordinimin e ekipeve multidisiplinare dhe realizimin e projekteve me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Bordi Drejtues shpreh besimin se përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i saj do të kontribuojnë në avancimin e misionit dhe objektivave të Odës.
Njëkohësisht, Bordi Drejtues shpreh mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e Uran Kyçykut gjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të OARK-së, në një periudhë të rëndësishme për funksionalizimin dhe konsolidimin e Odës si institucion profesional dhe i pavarur.
Bordi Drejtues mbetet i përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të tij ligjore dhe statutore, duke vazhduar të punojë në shërbim të anëtarëve të Odës dhe në mbrojtjen dhe promovimin e profesionit të arkitektit në Republikën e Kosovës.








