Millosh Antoviq pranon fajësinë për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan

I akuzuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, Millosh Antoviq dhe Prokuroria Speciale kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas prokurorit special, Bekim Kodraliu, i akuzuari pranimin e fajësisë, Antoviq e ka bërë më vullnet të lirë e pa presion.

Antoviq është pajtuar me akuzat për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

“Prokuroria Speciale ka zhvilluar negociata për pranimin e fajësisë me të akuzuarin Millosh Antoviq, në prezencë të mbrojtësit të tij. Kemi arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me të akuzuarin, i cili pajtohet me akuzat si në vijim, “sulm ndaj personit zyrtar”, “pjesëmarrja në grup qe kryen vepër penale të huliganizmit”, “blerja, posedimi dhe shpërndarja e substancave narkotike, psikotrope dhe analoge”, “armëmbajtje pa leje”. Pranimin e fajësisë, Antoviq e ka bërë më vullnet të lirë e pa presion”, ka thënë Kodraliu.

Prokuroria ka propozuar që të shqiptohet dënim unik prej 5 vjetësh burgim dhe gjobë 20 mijë euro.

“Andaj, propozojmë që Millosh Antoviq t’i shqiptohet një dënim unik prej 5 vitesh burg efektiv dhe gjobë prej 20 mijë euro, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim”, ka njoftuar Kodraliu.

Ndryshe, Millosh Antoviq akuzohet për sulmin më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, ku u lënduan disa ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

The post Millosh Antoviq pranon fajësinë për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan appeared first on Kosovapost.net.