Milionat e VV-së në 2025 – 95 mijë euro për “Kohën”, mbi 13 mijë euro për “Kosovanews”

Lëvizja Vetëvendosje gjatë vitit 2025 ka shpenzuar mbi 4.5 milionë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme, pothuajse trefish krahasuar me vitin paraprak.

Sipas të dhënave financiare të publikuara, ndonëse kishte të hyra që kalonin shumën prej 2.1 milionë eurosh, partia në pushtet e ka përmbyllur vitin me një deficit rreth 2.3 milionë euro.

Kjo e bën Vetëvendosjen subjektin me shpenzimet më të larta ndër partitë parlamentare gjatë kësaj periudhe.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve financiare është orientuar drejt mediave dhe shërbimeve të komunikimit.

Nga pagesat e evidentuara, Grupi “Koha” rezulton të ketë përfituar rreth 95 mijë euro.

Ndërkohë, portali “Kosovanews”, me pronar Jeton Sopën, ka marrë rreth 13 mijë euro.

Përveç mediave, pagesa janë bërë edhe për kompani të tjera që ofrojnë shërbime profesionale.

Në këtë kuadër, 25 mijë euro janë paguar për kompaninë e sondazheve “UBO Consulting”, e cila më herët kishte qenë në qendër të kritikave nga kryeministri Albin Kurti.