Richard Branson, miliarderi britanik dhe pronar i Virgin Atlantic, ka kritikuar ashpër qeverinë amerikane për futjen e papritur të tarifave të reja, duke vënë në dukje se reagimi i tregut ndaj lëvizjes ishte “i parashikueshëm dhe i parandalueshëm”.
Në një sërë postimesh në rrjetin social, X ka paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë amerikane dhe atë botërore.
“Edhe nëse jeni dakord me idenë bazë të këtyre tarifave, gjithçka duhet të ishte bërë për t’u dhënë kompanive amerikane kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur”, shkroi Branson.
Ai thotë se tregjet kanë reaguar në panik dhe pasojat tashmë janë të dukshme.
“Tregjet financiare në mbarë botën janë tani në rënie të lirë, me pasoja katastrofike për amerikanët e zakonshëm dhe pjesën tjetër të botës. Kursimet e pensionistëve të amerikanëve do të zhduken masivisht”, tha Branson.
Ndërsa dollari dobësohet, shtoi ai, çmimet për konsumatorët amerikanë pritet të rriten. Në të njëjtën kohë, shumë kompani të vogla dhe të mesme tashmë po falimentojnë ose janë në rrugë e sipër.
“Kjo nuk është një strategji fituese në planin afatgjatë. Qeveria e SHBA ende mund t’i kthejë gjërat, por duhet të veprojë në orët e ardhshme”, theksoi Branson.
Ai arriti në përfundimin se është koha për të pranuar një “gabim kolosal” dhe për të ndryshuar drejtimin, përndryshe, siç pretendon ai, Amerika “do të mbajë për vite me radhë pasojat e kësaj lëvizjeje”.