Milianti i VV-së arrestohet për kanosje pas postimeve kërcënuese dhe manipulimeve ndaj Klan Kosovës

Është arrestuar Valton Hasani i cili, prej kohësh, ka shfrytëzuar profilin e tij në Facebook për të publikuar një sërë postimesh me përmbajtje mashtruese dhe tone kërcënuese, të drejtuara ndaj kritikëve të ish-kryeministrit Albin Kurti. Rastet më të fundit lidhen me sulme ndaj mediumit Klan Kosova, ku, në përpjekje për t’u dhënë besueshmëri pretendimeve të tij, Hasani ka përdorur edhe manipulime fotografike, duke i shoqëruar ato me gjuhë fyese dhe denigruese.

Po ashtu, në profilin e tij në rrjete sociale, Hasani shfaqet si admirues i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në disa nga mesazhet e publikuara, ai, siç raporton Klan Kosova, ka përdorur termin fyes “Klan Serbia”, duke iu referuar udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje me epitetin “babë”.

Për shkak të këtyre përmbajtjeve të manipuluara dhe gjuhës ofenduese ndaj mediumit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, Hasani është arrestuar nga Policia.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Kanosje”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka bërë të ditur se ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është arrestuar një person për një kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’, në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në reagim ndaj ndërhyrjes së institucioneve, ka reaguar edhe televizioni Klan Kosova, i cili ka falënderuar organet e rendit dhe ligjit dhe ka ritheksuar angazhimin e tij për vazhdimin e punës profesionale.

“I falënderojmë institucionet e rendit dhe ligjit për ndërhyrjen e shpejtë dhe arrestimin e personit që ka bërë disa kanosje ndaj stafit të Klan Kosovës. Ne, si media më e madhe në vend, presim që rasti të trajtohet me seriozitetin më të madh dhe që dënimi i këtij kanosësi të shërbejë si shembull për këdo që në të ardhmen synon t’i kërcënojë apo t’ia mbyllë gojën medias”, thuhet në reagim.

“Klan Kosova i siguron shikuesit se nuk ka kërcënim apo kanosje që do të ndikojë në moskryerjen e punës sonë me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në shërbim të informimit të drejtë, të saktë dhe në interes të publikut”, thuhet më tej në mesazhin falënderues të Klan Kosova.

Për arrestimin e Hasanit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke dënuar “fuqishëm kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që individi V.H”.

“Arrestohet një person që kanosi Klan Kosovën dhe gazetarët e televizionit Policia e Kosovës e ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person që ka bërë një seri kërcënimesh online kundër televizionit Klan Kosova, dhe punonjësve të këtij televizioni. “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh për çka se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “Kanosje” në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore së bashku me institucionet e tjera relevante”, thuhet në një komunikim të Policisë së Kosovës. AGK-ja dënon fuqishëm kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që individi V.H ka bërë kundër televizionit, dhe mirëpret reagimin shumë të shpejtë të Policisë së Kosovës, me besimin që rasti do të trajtohet me prioritet.
AGK-ja dënon secilën formë kërcënimi e intimidimi ndaj gazetarëve, që është goditje për lirinë e medias në vend.”