Franco Baresi iu nënshtrua dje operacionit për të hequr një nodul në mushkëri. Ish-kapiteni legjendar i Milanit dhe aktualisht zëvendëspresident nderi i klubit kuqezi, fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Klubi kuqezi informoi publikun për gjendjen e Baresit, i cili iu nënshtrua ndërhyrjes të dielën:
“AC Milan njofton se, pas disa kontrolleve rutinë, zëvendëspresidentit tonë të nderit, Franco Baresi, iu diagnostikua prania e një noduli në mushkëri, për të cilin u vendos të ndërhyhet kirurgjikalisht me një teknikë mini-invazive për heqjen e tij.
Ndërhyrja ka shkuar mirë dhe rikuperimi pas operacionit ka qenë pa komplikacione. Franco u vlerësua më pas nga specialisti onkolog, i cili rekomandoi një terapi mbështetëse me bazë imunoterapie. I gjithë bordi i drejtorëve, drejtuesit e klubit, punonjësit dhe bashkëpunëtorët, stafi teknik, futbollistët dhe futbollistet e Milanit i urojnë Francos shërim të shpejtë dhe të plotë. Kapiten, jemi të gjithë me ty!”
Nuk ka vend për alarm në lidhje me Baresin. Për të qetësuar tifozët, klubi publikoi edhe një mesazh të vetë ish-kapitenit kuqezi, pas operacionit: “Të dashur tifozë, dua t’ju njoftoj se do të më duhet pak kohë për të rifituar formën. Faleminderit Milanit dhe të gjithëve ju për mbështetjen dhe përkrahjen. Me dashuri, ju përqafoj. Franco Baresi”.
Franco Baresi ishte detyruar të ndalonte për arsye shëndetësore edhe më 25 qershor, duke shtyrë një event të parashikuar më 13 korrik me “Milan Club Fond”, që mban emrin e tij. Edhe në ato ditë, Baresi ishte kujdesur të qetësonte opinionin publik. Dje, Milani konfirmoi se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe se ish-kapiteni i kuqezinjve po ndjek rrugën e rikuperimit, ndërsa tifozët presin me padurim rikthimin e tij.
The post Milani në ankth të madh, Baresi operohet për heqjen e një noduli në mushkëri appeared first on Telesport.