Këtë verë, më shumë se kurrë, Milani ka treguar se është një shitës i mirë i lojtarëve të vet. Mes largimeve të Reijnders, Theo Hernandez, Kalulu, Emerson Royal, Pobega, Pellegrino, Sportiello dhe Colombo, drejtuesit e “Djallit” kanë arkëtuar 111 milionë euro, të cilave do t’iu shtohen edhe deri në 35 milionë të tjera të mundshme, të lidhura me bonuse në marrëveshje.
Largimet (daljet) mund të mos kenë mbaruar. Siç shkruan “Gazzetta dello Sport”, nuk bëhet fjalë vetëm për Ismael Bennacer dhe Yacine Adli, që janë në margjinat e ekipit kuqezi, për Bondo dhe Terracciano, të destinuar për huazim te Cremonese, për Divock Origi, me të cilin do të rifillojnë negociatat për ndërprerjen e kontratës.
Për të zbrazur “gardërobën” e Milanellos mund të largohen edhe dy pjesë të rëndësishme të skuadrës së Massimiliano Allegrit, Malick Thiaw dhe Yunus Musah. Për mbrojtësin gjerman, Newcastle ka rikthyer fuqishëm interesin gjatë ditëve të fundit.
Anglezët kanë ofruar 30 milionë euro, ofertë që është refuzuar, por nuk përjashtohet që shpejt të rikthehen me ofertë të re. Allegri do të ishte i lumtur ta mbante në ekip, por lojtari duket se ka plane të tjera dhe nuk do ta refuzonte një të ardhme në Premier League. “Magpies” i kanë ofruar kontratë me 4 milionë euro në sezon, atje do të kishte mundësinë të luante edhe në Champions League.
Situatë e ngjashme edhe për Musah, për të cilin prej ditësh udhtron presion Nottingham Forest. Nuk ka ende një ofertë zyrtare, por ka pasur biseda të thelluara midis palëve. Edhe pse ka ardhur Jashari, trajneri Allegri ka dyshime për amerikanin, i cili megjithatë ka qenë mbresëlënës në performancë gjatë pjesës së parë të përgatitjeve. Nëse Forest do të paraqesë një ofertë mbi 25 milionë euro, Milani do të ishte gati ta shqyrtonte shitjen.
The post Milani, merkato edhe në dalje. Ka arkëtuar 111 milionë euro, shuma mund të rritet me largime të tjera appeared first on Telesport.