Milani mendon për Vlahovic, por pengesë bëhet paga. Serbi, jashtë planeve të Juventusit

Dusan Vlahovic është një nga emrat që figuron në listën e mundshme të përforcimeve për sulmin e Milanit. Nuk bëhet fjalë ende për një prioritet absolut, por, sipas asaj që raporton “La Repubblica”, trajneri Massimiliano Allegri ka kërkuar nga drejtori sportiv Igli Tare të eksplorojë mundësinë për të siguruar një sulmues të nivelit të lartë, që të vihet në konkurrencë me Santiago Gimenez, i cili do të analizohet me kujdes nga stafi teknik gjatë përgatitjeve verore.

Mes opsioneve të mundshme, profili që tundon më shumë ish-trajnerin e Juventusit është pikërisht ai i Vlahovic. Serbin e njeh mirë, e ka drejtuar për një sezon bardhezi dhe beson se mund ta rikthejë në versionin e sulmuesit vrastar që shkëlqeu te Fiorentina.

Nga ana e Juventusit, klubi është i hapur për shitjen e tij. Kontrata e Vlahovic skadon në vitin 2026, por duke marrë parasysh pagën e rëndë në bilanc (12 milionë euro bruto në sezon) dhe projektin e rinovimit, që po udhëhiqet nga drejtuesit e rinj, me Tudor në pankinë, bardhezinjtë janë gati ta sakrifikojnë sulmuesin për të mbledhur para të freskëta dhe financuar konfirmimin e Kolo Muani në Torino. Synimi i Juventusit është që të mos e humbasë Vlahovicin me parametër zero në të ardhmen.

Milani, nga ana tjetër, ka shfaqur interes konkret dhe është i gatshëm të ofrojë rreth 20-25 milionë euro për kartonin e tij. Problemi kryesor qëndron te paga; kuqezinjtë kanë bërë të ditur se nuk mund ta kalojnë tavanin e 6 milionë eurove në sezon, shifër që mbetet shumë larg nga pretendimet aktuale të lojtarit serb.

Për momentin, Vlahovic ka refuzuar oferta më të larta ekonomike që i kanë ardhur nga Turqia dhe Arabia Saudite, duke preferuar të mbetet në një projekt të madh europian, ku mund të luftojë për trofe të rëndësishëm. Megjithatë, oferta e Milanit nuk e bind, edhe për shkak të diferencës së ndjeshme në aspektin financiar.

Gjithçka mbetet pezull dhe shumëçka do të varet nga zhvillimet e tjera të merkatos së Milanit, por edhe nga dëshira e vetë lojtarit për të ulur pretendimet. Nëse Milani do të rrisë përpjekjet financiare, ose nëse Vlahovic do të pranojë një sakrificë për të qëndruar në elitën e futbollit italian, atëherë pista mund të rifitojë vrull. Për momentin, mbetet një skenar i komplikuar.

The post Milani mendon për Vlahovic, por pengesë bëhet paga. Serbi, jashtë planeve të Juventusit appeared first on Telesport.