Milani insiston për Joao Felixin, sot dita vendimtare

Joao Felix është objektivi kryesor i Milanit në ditën e fundit të afatit kalimtar të dimrit.

Për këtë siguron mediumi italian “La Gazzetta dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.

Portugezi dëshiron ta vesh fanellën Kuqezi dhe menaxheri i tij, Jorge Mendes mbrëmë ka shkuar nga Italia për në Angli për të biseduar direkt me drejtuesit e Chelseat për sulmuesin.

Tashmë menaxheri i njohur e ka zhvilluar takimin e parë për të arritur deri tek nënshkrimi.

Sot ai do të insistojë. Do të ketë kohë deri në mesnatë.

Një “operacion” jo fort i lehtë, por është më afër se kurrë më parë që të realizohet.

Ish-futbollisti i Atletico Madridit, i cili i ka zhvilluar vetëm tri ndeshje si titullar në Premierligë me “Blues” në këtë sezon, dëshiron të ndërrojë mjedis.

“Rossoneri” e vlerësojnë lartë përfaqësuesin portugez, por nuk janë të gatshëm të harxhojnë shumë para për të.

Mendes është në presion: dëshiron ta gjejë gjuhën e përbashkët mes dy klubeve dhe ta plotësojë dëshirën e klientit të tij për t’u larguar nga ekipi i Enzo Marescas.

Milani e do lojtarin në formë huazimi deri në fund të sezonit dhe mbetet të shihet nëse do të ketë marrëveshje sot për ta parë Joao Felixin në fanellën Kuqezi. /Gazeta Express