Një Milan bindës e hapi sezonin e ri me fitore të pastër ndaj Barit, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Kupës së Italisë. Në “San Siro” përfundoi 2-0, Rafa Leao zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, por menjëherë më pas u detyrua të linte fushën për një problem fizik.
Për gjendjen e tij, trajneri i dytë kuqezi Landucci u shpreh i pasigurt në fund të ndeshjes: “Nuk e di, doli sepse ndjeu këtë shqetësim dhe nuk donim të rrezikonim më shumë. Do të shohim nesër cilat do të jenë rezultatet e kontrolleve mjekësore”.
Ndeshjen në pjesën e dytë e vulosi Christian Pulisic, një nga më të mirët në fushë, bashkë me Saelemaekers dhe Fofana. Skuadra e Allegrit tregoi soliditet dhe fluiditet taktik, duke alternuar 4-3-3 fillestar me 3-5-2 më kompakt në fazën mbrojtëse.
Mirë edhe Modric, i cili hyri në minutën e 64-t dhe menjëherë vendosi rregull dhe ritëm në mesfushë, i pritur me ovacione nga “San Siro” në debutimin e tij zyrtar me fanellën kuqezi. Allegri menaxhoi mirë zëvendësimet dhe posedimin, duke kufizuar rreziqet dhe shfrytëzuar në maksimum depërtimet e anësorëve dhe mesfushorëve ofensivë.
Ndërkohë, merkatoja kuqezi mbetet e nxehtë. Drejtori sportiv Igli Tare, para ndeshjes, foli hapur për objektivat në sulm: “Hojlund do të ishte një opsion i mirë. Po e vlerësojmë këto ditë, por merkatoja është e paparashikueshme.
E dimë që duhet të ndërhyjmë në këtë repart. Gjithashtu e dimë që duhet të jenë lojtarë që i japin diçka më shumë këtij grupi. Vlahovic? Është një mundësi. Një sulmues duhet të vijë”.
The post Milani i ri bind në debutimin zyrtar, Igli Tare del hapur për çështjen e sulmuesit appeared first on Telesport.