Milani i Allegrit po merr formë të plotë, çelësi pritet të jetë treshja e re e mesfushës

Në një verë të nxehtë merkatoje, ku emrat dhe ëndrrat ndërlidhen çdo ditë, Milani ka hedhur themelet e një epoke të re, falë edhe një shqiptari, drejtorit të ri sportiv Igli Tare. Në qendër të kësaj epoke qëndron mesfusha. Si në një lojë pokeri, Massimiliano Allegri ka në dorë një treshe kartash që mund të vendosë fatin e sezonit 2025-2026: Luka Modrić, Samuele Ricci dhe Ardon Jashari.

Në këtë karikaturë shoqëruese të shkrimit, e përdorur nga “Gazzetta dello Sport”, ku mesfushorët janë të vizatuar si “letra pokeri”, duket i qartë mesazhi: mesfusha është “busulla” e vërtetë e Allegrit. Me përvojën dhe klasin e Modrić, freskinë dhe vizionin e Ricci dhe energjinë e re që sjell Jashari, skuadra kuqezi po ndërton një bosht loje që premton dominim dhe inteligjencë taktike.

Largimi i Reijnders? Pa dyshim një humbje e ndjeshme, por kjo nuk e ka ndalur klubin që të investojë me guxim në këtë repart, duke sjellë cilësi dhe karakter. Allegri, mjeshtër i ekuilibrave dhe i lojës së lexuar në detaje, tani duhet të bëjë atë që di më mirë: të krijojë një orkestër funksionale, ku çdo mesfushor jo vetëm që kontribuon individualisht, por bashkëpunon për të ngritur nivelin e të gjithë skuadrës.

Përse kjo treshe e mesfushës ka potencial të jetë vendimtare? Ja arsyet: Modrić, edhe pse në moshë të avancuar, mbetet një dirigjent i pakonkurrueshëm, me eksperiencë fituesi dhe qetësi në çdo situatë. Ricci ka marrë hovin e një lideri në Serie A dhe tani është gati të tregojë veten në një skenë më të madhe si Milani. Jashari, ndërkaq, sjell dinamizëm, përkushtim dhe potencial të jashtëzakonshëm fizik, te Milani synon të shpërthejë përfundimisht.

Sezoni i ri do të jetë një test jo vetëm për këta lojtarë, por për vetë vizionin e Milanit të ri. Po, emrat janë premtues, por vetëm loja në fushë do të tregojë nëse këto “karta fituese” do të sjellin trofe të rinj te “Djalli”. Tani, topi është në anën e Allegrit. A do ta luajë si duhet lojën e tij?

The post Milani i Allegrit po merr formë të plotë, çelësi pritet të jetë treshja e re e mesfushës appeared first on Telesport.