Milani, asnjë dyshim për 40-vjeçarin Modric, vetëm Rabiot vrapoi më shumë se ai ndaj Napolit

I vetmi dyshim i madh që mund të qarkullonte rreth Luka Modric, në momentin e ardhjes së tij te Milani, këtë verë, ishte mosha. Pyetja ngrihej: Edhe pse është një profesionist i jashtëzakonshëm, si do të ishte gjendja e tij fizike 40-vjeç? E pra, paraqitjet e para të kroatit në Itali me fanellën kuqezi i kanë bërë të turpërohen skeptikët. Në sfidën ndaj Napolit, topi i fundit i ndeshjes i përkiste atij, në minutën e 97-të, pasi kishte përshkuar 11.094 kilometra, duke u renditur i dyti për distancën e përshkuar, menjëherë pas Rabiot.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, në 5 javët e para të Serie A, Modric kryeson për pasime të sakta (300), pasime të sakta në gjysmëfushën kundërshtare (169), pasime filtruese (46), por edhe ndërprerje aksionesh (10) dhe topa të rikuperuar (31). Fituesi i “Topit të Artë” ka luajtur në 6 nga 7 ndeshje, me 449 minuta në fushë nga 630 të mundshme, një mesatare prej 64 minutash për ndeshje.

Në vitet e fundit, minutazhi i tij te Real Madridi kishte qenë me ulje-ngritje: 1744 minuta në La Liga 2022/23, 1687 minuta më 2023/24. Në sezonin e fundit në Madrid u aktivizua në 7 kompeticione: 1820 minuta në La Liga, 646 minuta në Champions, 338 minuta në Kupën e Mbretit, 26 minuta në Superkupën e Spanjës, 14 minuta në Superkupën Europiane, 20 minuta në “FIFA International Cup” dhe 6 ndeshje të Botërorit për Klube me një total prej 120 minutash.

The post Milani, asnjë dyshim për 40-vjeçarin Modric, vetëm Rabiot vrapoi më shumë se ai ndaj Napolit appeared first on Telesport.