Milan rrezikon në fund por rikthehet te fitorja, 5 gola të shënuar në “San Siro” (video)

Milan ka fituar 3-2 ndaj Torino në sfidën e luajtur në “San Siro”, e vlefshme për javën e 30-të në Serie A. Sfida u zhbllokua në minutën e 36-të, ku Strahinja Pavlovic shënoi një supergol, me një goditje fantastike me të majtën nga jashtë zonës, ku topi pasi u përplas në traversën e brendshme, përfundoi në rrjetë.

Në minutën e 38-të, Torino rrezikon me Duvan Zapata, por Mike Maignan tregohet i vëmendshëm. Në fund të pjesës së parë, Torino barazon shifrat me golin e shënuar nga Giovanni Simeone, i cili dërgoi në rrjetën tpin e goditur nga Vlasic që përfundoi në shtyllë. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Ndryshe nga e para, pjesa e dytë ishte më e bukur dhe dinamike. Në minutën e 53-të ishte Adrien Rabiot që gjeti golin e avantazhit 2-1 për kuqezinjtë. Pas një aksioni perfekt dhe kombinimit të përkryer mes Modric-Pulisic-Rabiot, francezi e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë.

Dy minuta më pas ishte radha e Youssouf Fofana për të gjetur golin e tretë pas asistit të Zachary Athekame, i futur në fillim të pjesës së dytë në vend të Fikayo Tomori.

Në minutën e 68-të, Torino iu afrua golit të dytë me Simeone, por Mike Maignan tregohet i mrekullueshëm. Në minutën e 82-të, Nikola Vlasic ngushton shifrat në 3-2, pasi tregohet i saktë nga penalltia, pas një faulli të Pavlovic brenda në zonë ndaj Simeone. Rezultati final, 3-2.

Pas kësaj fitoreje, Milan rimerr vendin e dytë me 63 pikë, një pikë më shumë se Napoli i vendit të tretë dhe pesë pikë më pak se Inter që kryeson renditjen, që luan nesër në transfertë ndaj Fiorentinës.

SHIKOGOLAT

The post Milan rrezikon në fund por rikthehet te fitorja, 5 gola të shënuar në “San Siro” (video) appeared first on Telesport.