Milan pritet të jetë shumë aktiv gjatë merkatos së verës së ardhshme, ku kuqezinjtë do të bëjnë disa përforcime për të ndërtuar një ekip kompetitiv, duke qenë se sipas të gjitha gjasave do të luajnë edhe në Champions League sezonin e ardhshëm.
Max Allegri ka kërkuar ndërhyrje në mesfushë dhe drejtuesit e klubit kuqezi, Igli Tare dhe Giorgio Furlani, të cilët merren me merkaton, kanë zgjedhur një emër bindës dhe që i përshtatet profilit të kërkuar nga trajneri i kuqezinjve.
Bëhet fjalë për Sergej Milinkovic-Savic, një njohje e vjetër e Serie A, i cili aktualisht është pjesë e Al-Hilal në Arabinë Saudite. Vlera aktuale në treg e mesfushorit serb llogaritet 15-20 milionë euro, shifër e përballueshme nga Milan, por pngesa e vërtetë është rroga e tij, rreth 20 milionë euro në sezon, gjë që vështirë se mund të pranohet nga klubi kuqezi.
Sipas raportimeve të ndryshme nga Italia, vetë lojtari është i hapur për një rikthim në Serie A dhe është i gatshëm për të bërë një “sakrificë” për të pranuar uljen e rrogës në rast se do të transferohet te Milan.
The post Milan gjen në Arabinë Saudite përforcimin ideal për mesfushën. Gati rikthimi i bujshëm në Serie A appeared first on Telesport.









