Milan, dëgjoje Dzemailin për Jasharin: Lojtar i madh, e patë si e neutralizoi Edersonin

Ish-mesfushori Blerim Dzemaili foli për mikrofonat e “Sky Sport” për dy bashkëkombësit e tij, që janë në shënjestrën e Milanit. Duke nisur nga Ardon Jashari: “E kam parë të luajë 3-4 vite më parë me Lucernën, është lojtar me të vërtetë i rëndësishëm, një lider që kur ishte më i ri. Nuk fshihet kurrë, i pëlqen të prekë topin”.

Më pas shtoi për rolin e tij: “I pëlqen të luajë para mbrojtjes. Në ndeshjen e fundit me kombëtaren luajti pranë Xhakës, e bëri mirë edhe atë rol. Mund të mbulojë disa role, është rritur shumë te Brugge këto vitet e fundit. Të gjithë e dinim se kishte talent, por nuk mendonim se do të bënte kaq mirë menjëherë”.

I pyetur nëse do t’ia rekomandonte Milanit të zgjidhte Jasharin, apo shokun e tij të kombëtares, Granit Xhaka, Dzemaili tha: “Jashari ka shumë të ardhme përpara, mund të punosh me të për 5-8 vitet e ardhshme. Xhaka është tashmë në top-nivel, Jashari duhet të rritet për të mbërritur atje. Të dy janë shumë të fortë dhe do të bënin shumë mirë te Milani, por kampionati italian nuk është i lehtë. Në përballjen direkte kundër Edersonit, në Champions, tregoi se është i fortë. E eliminoi Edersonin, e neutralizoi, më befasoi shumë në atë ndeshje. Dëshmoi se ka bërë hapa përpara”.

Për merkaton e Milanit: “Mendoj se ka marrë një dyshe perfekte. Igli Tare është një drejtor sportiv shumë i fortë, Allegri është një mjeshtër. E di se çfarë lojtarësh i duhen për lojën e tij, do të përqendrohen te lojtarët e duhur, mesfusha është pjesa më e rëndësishme e skuadrës. Aty po përqendrohen dhe është e drejtë. Modric? Vlen njësoj si De Bruyne, me motivimet e duhura është një vlerë e shtuar për Milanin dhe Serie A. Duhet të jetë i zoti Allegri ta vendosë në vendin e duhur, me hapësirën e duhur. Nëse mund të marrësh një si Modric, i bën mirë skuadrës. Do ta doja gjithmonë në skuadrën time, edhe pse ka rreziqe pas tij”.

Për Napolin dhe Interin: “Goditja e De Bruyne ishte vërtet e rëndësishme, e çon edhe më lart nivelin e Napolit. Është e qartë që Conte ka nevojë për lojtarë të tjerë, tashmë ka bërë një mrekulli këtë sezon. Është e rëndësishme të kesh një skuadër të plotë kur merr pjesë në disa kompeticione. Më pëlqen shumë Lucca, do të shkoja më shumë tek ai. Tjetër goditje e madhe është ajo e Bonny tek Interi, më pëlqen shumë ky transferim”.

The post Milan, dëgjoje Dzemailin për Jasharin: Lojtar i madh, e patë si e neutralizoi Edersonin appeared first on Telesport.