Milan ka fituar 1-0 ndaj Romës në “San Siro”, në kryesfidën e javës së 10-të në Serie A. Roma e nisi mjaft mirë takimin, duke dominuar në lojë dhe në raste.
Rasti i parë serioz për verdhekuqtë do të vintë në minutën e 10-të, ku Ndicka goditi me kokë, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën. Në minutën e 17-të, Paulo Dybala flirtoi me golin, por goditja e argjentinasit nuk përfundoi në rrjetë.
Në minutën e 39-të, falë një kundërsulmi model dhe “motorrit” Rafael Leao, Milan gjen golin me Strahinja Pavlovic, i cili e kishte shumë të lehtë të shënonte pas asistit fantastik të anësorit portugez. SHIKOGOLIN
Në minutën e 44-të, Milan ishte shumë pranë golit të dytë, por Youssouf Fofana bëri më të vështirën e mundshme, duke shpërdoruar një rast të artë. Edhe pse Roma dominoi në fushë, Milan e mbyll në avantazh 1-0.
Pjesa e dytë nis më mirë për Milanin, që pati dy raste që në fillim. Fillimisht me Rafa Leao, por goditja e portugezit ndalet në mënyrë fantastike nga portieri i verdhekuqve, Svilar.
Në minutën e 50-të, Modric kroson nga këndi, Nkunku e prek me trup, por nuk e shtyn dot në rrjetë, topi përplaset në shtyllë. Në minutën e 68-të, Leao ishte shumë pranë golit, por goditja e tij u ndal nga Hermoso në vijën e fundit.
Në minutën e 80-te, goditja e dënimit e Lorenzo Pellegrinit ndalet me dorë nga Fofana, arbitri nuk ka pikë dyshimi dhe tregon gishtin nga 11-metrat. Godet Dybala, Mike Maignan tregohet fantastik dhe i pret penalltinë argjentinasit. SHIKOPENALLTINE
Milan fiton përfundimisht 1-0 dhe ngjitet në vendin e 3-të me 21 pikë, njësoj sa ka Roma e vendit të 4-të dhe Inter i vendit të 2-të. Kryeson Napoli me 22 pikë.
The post Mike Maignan “hero”, Milanit i mjafton 1 gol për të marrë 3 pikët ndaj Romës (video) appeared first on Telesport.










