Numërimi i votave me postë po vazhdon, ndërsa deri më tani janë procesuar 125 nga gjithsej 145 vendvotime, apo 86.21 për qind e totalit të votave që kanë arritur në Qendrën e numërimit të Rezultateve.
Sipas rezultateve të përditësuara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 73.08 për qind të votave, apo 26,719 vota.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.14 për qind, përkatësisht 3,707 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 8.70 për qind, apo 3,180 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 3.94 për qind të votave, apo 1,441 vota nga votimi me postë.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në këtë fazë po përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar 2026, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas KQZ-së, më 2 janar janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime nga tetë kuti postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanberra dhe Kopenhagë. Ndërkaq, më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Lubjanë, Romë dhe Prishtinë.
Nga KQZ-ja thuhet se pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit dhe vlerësimit. Deri më tani, rreth 16 mijë pako me fletëvotime janë aprovuar dhe janë duke u numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Megjithatë, ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime të tërhequra nga kutitë postare në disa shtete. Sipas të dhënave, këto pako janë nga Parisi (1,962), Berlini (633), Haga (61), Podgorica (125) dhe Otava (404)./Reporteri.net/










