Mijëra kafshë theren pas shpërthimit të një sëmundjeje në Hungari dhe Sllovaki

Më shumë se 2000 lopë duhet të theren në një fermë në Hungarinë veriore, ku disa kafshë janë infektuar me sëmundjen Afta Epizootike.

Për shkak të shpërthimit, i cili prek derrat, bagëtinë, delet dhe dhitë, autoritetet hungareze kanë krijuar një zonë sigurie me dy nivele rreth fermës, ku janë vendosur kufizime të rrepta dhe rekomandohet kontrolli i bagëtive.

Bëhet e ditur se përhaqpja është e dyta në vend këtë muaj, me 1600 kafshë të therura në Kisbajcs disa javë më parë.

Evropa Qendrore ka qenë e pastër nga sëmundja për më shumë se 50 vjet, por ajo u rishfaq në janar në rajonin e Brandenburgut të Gjermanisë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Rastet e reja janë shfaqur që atëherë në Hungari dhe Sllovaki, me katër epiqendra në Sllovakinë jugore dhe dy në Hungari.

Të dy vendet zbatuan një sërë masash për të frenuar përhapjen e sëmundjes: një zonë mbrojtëse me rreze tre kilometra rreth qendrave të epidemisë dhe një zonë vëzhgimi 10 kilometra ku monitorohet shëndeti i bagëtive.

Lëvizja e kafshëve gjithashtu është ndaluar dhe autoritetet hungareze kanë ndaluar gjuetinë në qarkun Gyor-Moson.

Sllovakia ka mbyllur pikat e vogla të kalimit kufitar dhe ka vendosur porta dezinfektimi në ato më të mëdha.

Raportohet se therja e bagëtive të infektuara dhe mënyra për të hequr qafe kufomat potencialisht infektive përbën gjithashtu një sfidë për autoritetet.